Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

05-03-2013

Program trajnimi-vizita / Drejtësia për të Mitur

Realizimi i këtij programi kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave lidhur me strukturën ligjore në kuadër të drejtësisë për të mitur dhe diskutimin e ideve dhe metodologjive për ngritje të kapaciteteve në gjyqësorin e të dy vendeve. 

Në kuadër të këtij programi janë realizuar një seri e prezantimeve dhe diskutimeve për raste praktike dhe shkëmbim përvojash me qëllim të tejkalimit të sfidave të identifikuara në lëmin e drejtësisë për të mitur.

Pjesëmarrësit në këtë vizitë u njoftuan me sistemin gjyqësor turk dhe në veçanti me atë drejtësisë për fëmijë. Në fokus të prezantimeve ishin qasja dhe kontributi i Gjykatës Supreme të Turqisë në Drejtësinë për të Mitur. Një ndër temat e diskutuara ishte edhe zhvillimi i kurikulës dhe metodës trajnuese në Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe mundësia e aplikimit të atyre metodave nga ana e trajnuesve të IGJK-së. 

Vizita në Gjykatën për të Mitur në Ankara i mundësoi pjesëmarrësve që për së afërmi të njoftohen me menaxhimin e rasteve dhe me rolin dhe rëndësinë e ekspertëve në  këtë gjykatë. Po ashtu e një rëndësie të veçantë ishin edhe vizitat në Qendrën e Paraburgimit për të Miturit, Qendrën Rinore të Rehabilitimit dhe në Shërbimin Sprovues të Turqisë ku trajnuesit e IGJK-së patën rastin të shohin mbikëqyrjen e çështjeve të rehabilitimit të fëmijëve dhe kushtet që kanë këto institucione.    

Përfitues të këtij program janë trajnuesit e IGJK-së (gjyqtarë dhe prokurorë) nga lëmi i drejtësisë për të mitur, drejtori dhe stafi i IGJK-së.

Mbështetja financiare e programit bëhet nga Akademia e Drejtësisë e Republikës së Turqisë, TIKA dhe UNICEF.

Shpërndaje :