Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

28-02-2020

Aktivitetet e realizuara në kuadër të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar gjenerata e VII

Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, për gjyqtarët e sapoemëruar, gjatë muajit shkurt ka zhvilluar aktivitete në drejtim të përmbushjes së programit trajnues, duke përfshirë trajnimin teorik dhe  trajnimin praktik.

Në këtë periudhë janë realizuar 23 sesione trajnimi nga modulet: Kodi i Procedurës Penale dhe Legjislacioni dhe shkathtësitë plotësuese.

Në kuadër të nën modulit “Procedurat sipas mjeteve juridike” janë realizuar dy  (2) sesione trajnues ku është trajtuar e drejta e të pandehurit për ankesë dhe vendimet e gjykatës pas përfundimit të seancës së kolegjit sipas kërkesesës për rishikimin e procedurës penale.

Nga nën moduli: “Procedurat e veçanta sipas KPPK-së”  janë realizuar dy (2) sesione trajnuese dhe janë shtjelluar procedurat ndaj personave të cilët kanë kryer vepra penale nën ndikimin e alkoolit ose drogës dhe procedurat penale ku përfshihen kryerësit me çrregullime mendore si dhe zbatimi i procedurës për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Nga nën moduli “Kontrolli dhe konfiskimi” janë realizuar tre (3) sesione trajnuese. Nga ky nën modul  gjyqtarët e sapo emëruar patën rastin të përfitojnë njohuri të reja lidhur me kompetencën për urdhër kontroll, marrja e pasurisë së përfituar me vepër penale, kuptimi i sekuestrimit dhe konfiskimi si dy forma të marrjes së pasurisë së përfituar me vepër penale dhe konfiskimi sipas kompetencave të zgjeruara.

Po ashtu nga nën moduli: “Masat për sigurinë e pranisë së të pandehurit”  u realizuan tre (3) sesione trajnuese ku pjesëmarrësit zgjeruan njohurit e tyre rreth urdhër arrestit dhe premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin, ndalimi i të pandehurit për t’iu afruar vendit të caktuar dhe personave të caktuar, obligimi i të pandehurit për paraqitjen më të afërt në stacionin policor si dhe arresti shtëpiak, diversioni dhe paraburgimi.

Gjatë realizimit të trajnimit teorik gjyqtarët kanë realizuar katër (4) sesione trajnuese nga nën moduli “Masat e hetimit dhe vëzhgimit”. Temat të cilat u trajtuan janë: masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, lloji i masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit dhe kuptimi i tyre, procedura për lëshimin e masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit.

Gjithashtu nga nën moduli “Ekspertiza dhe analiza” u realizuan katër (4) sesione trajnuese ndër të cilët gjyqtarët u informuan lidhur me  ekspertizën si provë në procedurën penale, ekspertimi si veprim procedural në procedurë penale dhe nevoja e caktimit për ekspertim.

Në kuadër të nën modulit: “Shqyrtimi fillestar i dytë dhe shqyrtimi gjyqësorë” është realizuar një (1) sesion trajnues ku është diskutuar për caktimin  e gjyqtarit për ta gjykuar çështjen dhe caktimin i shqyrtimit fillestar.

Gjithashtu  një (1) sesion trajnues u realizua në kuadër të nën modulit: “Provat në procedurën penale” në të cilin u diskutua mbi marrjen e disa provave të rëndësishme, identifikimin dhe përmbledhjen e tyre.

Sipas kalendarit trajnues,  gjyqtarët e sapo emëruar kanë realizuar edhe trajnimin lidhur me “Zhvillimin e shkathtësive gjyqësore” ku janë trajtuar: Fjala hyrëse, kuptimi i marrjes së drejtpërdrejt dhe të tërthortë në pyetje dhe fjala përfundimtare në të cilin janë zhvilluar shkthtësitë gjyqësore përmes rasteve praktike të simuluara nga vetë gjyqtarët e sapo emëruar.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 8 ditë trajnim praktik në gjykata konform orarit të përcaktuar.

Trajnimin fillestar janë duke e ndjekur (37) gjyqtarë të sapo emëruar, shtatë (7) prej të cilëve janë të komunitetit serb.

Shpërndaje :