Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

30-04-2020

Roli dhe rëndësia e LPPA-së në organet administrative – Akti administrativ

Më 29-30 prill 2020, Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme  organizoj trajnimin me temë: “Roli dhe rëndësia e LPPA-së në organet Administrative -Akti Administrativ”. Në pamundësi të realizimit të trajnimit klasik, ky trajnim u mbajt virtualisht përmes platformës elektronike Zoom Pro. Trajnimi u zhvillua direkt/live për dy ditë, dita I me 29.04.2020 nga ora 13:00-15:30 dhe dita II me 30.04.2020 nga ora 13:00-15:30.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me tematikën e rolit dhe rëndësisë së LPPA-së në organet administrative konkretisht - aktit administrativ.

Në dy ditët trajnimit u trajtuan temat në vijim: Roli dhe rëndësia e LPPA-së në organet administrative, Kuptimi dhe rëndësia e aktit administrativ si dhe koha e hyrjes në fuqi të tij, Zbatimi i drejtë i dispozitave të LPPA-së dhe Interpretimi i Udhëzuesit për procedurën administrative. Me fokus të veçantë u shtjellua akti administrativ, forma, përmbajtja, hyrja në fuqi, zbatimi si dhe shfuqizimi i tij. Në trajnim vëmendja u fokusua në procedurën administrative konkretisht në temat që lidhen me kohën e hyrjes në fuqi të aktit administrativ, zbatimin e aktit administrativ individual dhe kolektiv, si dhe revokimin dhe shfuqizimin e aktit administrativ. Ndërsa lidhur me Udhëzuesin për procedurën administrative u potencua se ka për qëllim që të lehtësoj zbatimin e LPPA-së nga ana e organeve të administratës publike, gjyqtarëve, personave fizik dhe juridik.

Gjithashtu në trajnim u shtjelluan edhe u ofruan zgjidhje praktike të bazuara në ligj të cilat do të lehtësojnë punën e gjykatës dhe organeve administrative dhe në instancë të fundit do të ndikojnë në reduktimin e përgjithshëm të numrit të lëndëve në këtë lëmi.

Në trajnim u veçua konstatimi se Vendimi paraqet aktin administrativ me të cilin vendoset çështja administrative dhe me të cilin krijohen pasoja juridike. Vendimi përkufizohet si akt administrativ me të cilin organi kompetent vendos mbi objektin, çështjen konkrete administrative, mbi ndonjë të drejtë, detyrim ose interes juridik, duke aplikuar drejtpërdrejtë dispozitat juridike materiale.  Akti administrativ paraqet akt formal i përcaktuar me ligj, që do të thotë se akti administrativ ka formën e shkruar, përjashtimisht të rasteve kur me ligj kërkohet një formë tjetër apo kur një gjë të tillë e imponojnë rrethanat tjera.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste, dhe shembuj konkret. Kjo metodologji ngërtheu diskutime interaktive. Materiali i këtij trajnimi përmban komente, shënime, shembuj praktik mbi parimet dhe rregullat e procedurës së përgjithshme administrative me fokus të veçantë aktin administrativ dhe elementet e tij. Gjithashtu u përdorën dhe u trajtuan në hollësi shembuj të zgjedhur nga Udhëzuesi për procedurën administrative.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e nivelit të Apelit dhe nivelit themelor (Departamentit për Çështje Administrative), si dhe zyrtarët e administratës publike të nivelit komunal dhe qendrorë.

Shpërndaje :