Më 29-30 prill 2013, në Budvë të Malit të Zi, u mbajt konferenca përmbyllëse lidhur me Projektin” Bashkëpunimin Regjional në Çështjet Penale: Fuqizimi i kapaciteteve në luftën kundër krimit kompjuterik“. Kjo konferencë u mbështet nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës-“CyberCrime@IPA”. Qëllimi i projektit 32 muajsh ishte fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, për bashkëpunim efektiv regjional në luftimin e krimit kompjuterik.
Në ditën e parë të konferencës pjesëmarrësit patën rastin të vlerësojnë të arriturat e projektit, të diskutojnë për mundësinë e shfrytëzimit dhe promovimit të mjeteve të zhvilluara në mbështetje të projektit, si dhe diskutuan për mundësitë për avancimin e bashkëpunimit regjional dhe për hapat e ardhshëm në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria e projektit. Në këtë kuadër u aprovua Raporti Vlerësues i ekspertëve për gjendjen dhe progresin e arritur në vendet përfituese gjatë periudhës së implementimit të projektit.
Në ditën e dytë të konferencës, më 30 prill 2013, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit për funksionimin e Qendrës Regjionale për Trajnime Gjyqësore në fushën e Krimit Kibernetikë, të themeluar me seli në Zagreb të Kroacisë. Ky memorandum u nënshkrua nga udhëheqësit e qendrave trajnuese dhe përfituese të projektit si: Kroacia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Turqia. Me këtë rast u aprovua Plani i Punës së Qendrës Regjionale për Trajnime Gjyqësore për Krimin Kibernetik për vitin 2013/2014. Republika e Kosovës në këtë konferencë u përfaqësua nga zyrtarë nga, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Drejtësisë-Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë, Policia e Kosovës-Departamenti kundër Krimit të Organizuar/Sektori për Hetimin e Krimit Kompjuterik, dhe zyrtarë nga MZHE, Departamenti i Postë Telekomunikimit dhe Teknologjisë Informative.
30-04-2013