Më 14 Shtator 2020, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme është duke realizuar trajnimin obligative për sistemin prokurorial “Etika Profesionale”.
Trajnues të angazhuar në këtë trajnim janë: z. Bahri Hyseni-Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe z. Jetish Maloku- Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Qëllimi i këtij trajnimi është avancimi i njohurive të pjesëmarrësve rreth përgjegjësive që dalin nga zbatimi i ligjit si dhe fokusimi te Kodi i Etikës që ka për qëllim ti ofrojë prokurorëve një mori vlerash dhe parimesh mbi të cilat të bazohet sjellja e tyre. Për më tepër, respektimi i parimeve të pavarësisë, paanshmërisë, integritetit , shmangja nga konflikti i interesit do të ndikoj te rritja e besueshmërisë në sistemin prokurorial tek qytetarët. Andaj, qështja e respektimit të sjelljeve etike është përgjegjësi që ndikon në ngritjen e imazhit jo vetëm të prokurorit por edhe të të gjithë sistemit prokurorial.
Në fokus të trajnimit janë: Kodi i Etikës Profesionale për Prokurorë në kuadër të të cilit shtjellohet qëllimi dhe parimet bazë të Etikës Profesionale, Procedura disiplinore ndaj prokurorëve ku përfshihen ndryshimet ligjore, veprimet e prokurorit që përfshihen në shkelje disiplinore, masat disiplinore ,ankesat dhe përmbajtja e saj si dhe veprimet e Autoritetit kompetent.
Gjatë trajnimit janë duke u elaboruar edhe kërkesat për fillimin e hetimeve, veprimet e Këshillit, themelimi i panelit hetimor dhe procedura në panelin hetimor, marrëveshja vullnetare për shkeljen e supozuar disiplinore, seanca dëgjimore dhe vendimit i Këshillit.
Metodologjia e zbatuar ishte e karakterit të kombinuar, me shpjegime teorike dhe diskutime interaktive.
Përfitues në këtë trajnim janë: Kryeprokurorët e Prokurorisë Speciale, të Apelit dhe Themelorë si dhe prokurorët e shtetit të të gjitha niveleve.
14-09-2020