Sot më datë 24 Nëntor 2020, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me Checchi&Company Consulting Inc., si implementuese e Programit për Drejtësi Komerciale brenda Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), filluan sesionin e I-rë të Trajnimit të Trajnuesve në fushën e Drejtësisë Komerciale.
Ky trajnim vije si rrjedhojë e hulumtimeve dhe identifikimit të nevojave trajnuese në këtë fushë, si dhe proceseve ligjore të cilat janë në rrugë e sipër, si krijimi i Gjykatës Ekonomike në Kosovë.
Qëllimi i trajnimit është që të krijohet një kuadër i kualifikuar dhe i profesionalizuar i trajnuesve në fushën Komerciale, të hartohet një kurrikulë gjithëpërfshirëse e trajnimit në fushën komerciale, përmirësimi dhe harmonizimi i legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar në aspektin tregtar etj.
Sesioni i parë Trajnues do të ketë kohëzgjatje prej 4 ditësh dhe fillimisht do të diskutohen çështjet themelore të trajnimit si: Metodologjia e Trajnimit, Teknikat dhe struktura e trajnimeve, dizajnimi i objektivave SMART, arsyetimi ligjor etj.
Në ditën e III dhe IV, trajnimit pritet t’i bashkëngjiten edhe dy (2) gjyqtarë komercial nga Gjermania, të cilët do t’i shpalosin praktikat dhe përvojat e tyre trajnuese, sidomos në fushën e Aftësive ligjëruese, dhe aspektet praktike nga Falimentimi.
Trajnimi i trajnuesve në fushën e të drejtës Komerciale pritet t’i ketë 3 sesione trajnuese me nga 4 ditë trajnimi dhe përfitues të saj janë 18 kandidatët e përzgjedhur nga procesi i rekrutimit që ka zhvilluar Akademia e Drejtësisë paraprakisht.
I tërë trajnimi është duke u zhvilluar në mënyrë interkative mes trajnueses dhe pjesëmarrësve.
Për shkak të situatës së krijuar nga virusi COID-19, trajnimi po zhvillohet në platformën elektronike ZOOM.
24-11-2020