Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

29-04-2021

Program i Specializuar, Krimi i Organizuar dhe Korrupsioni - Sesioni I

Më 29-30 Prill 2021, është realizuar në formë virtuale përmes platformës Zoom Programi i Specializuar i Trajnimit me temë “Krimi i Organizuar dhe Korrupsioni - Sesioni I”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve rreth Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit si dhe zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore  të Kodit Penal për veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit duke përfshirë edhe Ligjin  lidhur me konfiskimin dhe sanksionet penale ndaj kryerësve të veprave përkatëse.

Në ditën e parë të trajnimit i është kushtuar kujdes kuptimit të grupit kriminal të organizuar, qëllimit të krijimit të këtyre grupeve, strukturës hiearkike të tyre, si dhe veprave penale të kryera nga pjesëmarrësit e këtij grupi. Është diskutuar edhe për kornizën ligjore ndaj krimit të organizuar dhe tregjet e krimit të organizuar, shkaqet dhe faktorët lehtësues të krimit të organizuar, infiltrimi i krimit të organizuar në biznese dhe në institucione publike duke paraqitur edhe raste studimi për to.

Në ditën e dytë të trajnimit në fokus të debatit ka qenë sfida për t’u ballafaquar me rastet e krimeve të organizuara nga ana e gjykatave në luftën kundër krimit të organizuar. Më tutje është diskutuar për bashkëkryerjen si formë e bashkëpunimit në kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar, si dhe përgjegjësinë dhe ndëshkimin e bashkëkryerësit. Një diskutim i rëndësishëm është zhvilluar edhe lidhur me bashkimin kriminal si formë e veçantë e krimit të organizuar nëpërmjet të cilit kryhen vepra shumë të rënda penale, elementet e veprës penale në bashkim kriminal dhe përgjegjësia penale dhe ndëshkimi i anëtarëve të bashkimit kriminal.

Metodologjia e trajnimit ishte e karakterit të kombinuar me shpjegime teorike dhe diskutime interaktive duke prezantuar dhe raste praktike.

Përfitues të këtij trajnimi ishin 42 pjesëmarrës, prej tyre 6 gjyqtar nga Gjykata e Apelit, 23 gjyqtar nga Gjykatat Themelore si dhe 11 prokurorë nga Prokuroritë Themelore.

Shpërndaje :