Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

03-09-2013

Forcimi i Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar

Më 2-3 shtator 2013, IGJK në bashkëpunim  me Projektin e Binjakëzimit, i financuar dhe  menaxhuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, realizoi një trajnim dy ditor të radhës me prokuroret si koordinatorë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar lidhur me temën e lartpërmendur. 

Qëllimi i këtij trajnimi ishte krijimi i praktikave më të mira në drejtim të bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet e ekstradimit dhe hetimeve të përbashkëta rreth krimit të organizuar dhe ngrirjes së aseteve.

Gjatë trajnimit nga ekspertët ndërkombëtar u prezantua dhe u diskutua për  parimet themelore të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në rastet e ekstradimit, specifikën e këtyre rasteve dhe rasteve të krimit të organizuar. Gjithashtu në fokus ka qenë edhe ngrirja e aseteve,  marrëveshjet mes shteteve për ndarjen e asteve, mundësia e ekipeve të përbashkëta hetimore, video konferencat, kanalet  dhe rrjetet e komunikimit dhe kriteret për kërkesat lidhur me ndihmën juridike në këto raste. 
     
Pas përfundimit të trajnimit prokurorët e caktuar si persona kontaktues për çështjet e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar kanë realizuar takime regjionale me ekspertët ndërkombëtar me qëllim të koordinimit dhe bashkëpunimit në lidhje me rastet aktuale.
Përfitues të këtij trajnimi ishin prokurorët e caktuar si persona kontaktues në çështjet e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar dhe  zyrtarët policor nga Zyra Koordinuese në mes policisë vendore dhe ndërkombëtare.

Shpërndaje :