Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-05-2021

Program i Specializuar Trajnimi Krimi i organizuar dhe korrupsioni – Sesioni II

Më 18-19 maj 2021, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV) ka realizuar trajnimin me temë “Program i Specializuar Trajnimi  Krimi i organizuar dhe    korrupsioni – Sesioni II”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe përfituesve tjerë lidhur me natyrën dhe format e korrupsionit si dhe veprat penale që janë të ndërlidhura me korrupsionin.

Gjatë këtij trajnimi për dy ditë me radhë u trajtuan temat: Teknikat e veçanta hetimore të krimit të organizuar, Mbrojtja e dëshmitarëve dhe të drejtat e viktimave tek krimi i organizuar, Strategjitë e Prokurorisë për hetimin e grupeve kriminale, Sekuestrimi i corpora delictit tek krimi i organizuar, Ndërlidhja ndërmjet krimit të organizuar dhe korrupsionit, Korniza strategjike dhe institucionale në fushën e bashkëpunimit në çështjet penale, Zbatimi ligjit lidhur me konfiskimin dhe sanksionet penale ndaj kryerësit të veprave penale të krimit të organizuar.

Me rastin e këtij trajnimi vëmendje të veçantë i është kushtuar rëndësisë së ligjeve adekuate për konfiskimin e aseteve të fituara në mënyrë të paligjshme, dhe për ta kuptuar këtë proces ligjor për sekuestrimin dhe konfiskimin dhe zbatimin e drejtë të këtij ligji në praktikë. Gjithashtu pjesëmarrësit patën rastin e diskutimit të rasteve studimore dhe përmes këtyre rasteve ofruan zgjidhjet e drejta ligjore duke u bazuar në dispozita përkatëse që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Metodologjia e trajnimit është bazuar në diskutime interaktive të pjesëmarrësve të trajnimit dhe të trajnuesve.

Përfitues të këtij trajnimi ishin 62 pjesëmarrës. Prej tyre 2 gjyqtarë nga Gjykata Supreme, 7 gjyqtarë nga Gjykata e Apelit dhe 38 gjyqtarë nga Gjykatat Themelore si dhe 1 prokurorë nga Prokuroria Speciale, 1 prokurorë nga Prokuroria e Apelit dhe 13 prokuror nga Prokuroritë Themelore nga te gjitha regjionet e Kosovës.

Shpërndaje :