Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

28-02-2014

Trajnim i Avancuar për Zhvillimin e Trajnuesve – bazat dhe parimet për trajnues gjyqësor

Nga data 24 deri 26 shkurt 2014, IGJK në bashkëpunim me EROL – USAID, ka realizuar trajnimin e trajnuesve me temë “Trajnim i Avancuar për Zhvillimin e Trajnuesve – bazat dhe parimet për trajnues gjyqësor”. Ky program është realizuar nga trajnuesi ndërkombëtar me përvojë në fushën e trajnimeve gjyqësore.

Synime kryesore të këtij trajnimi ishin aplikimi i teorive moderne të mësimit për të rritur, të kuptuarit e pikave të forta dhe të dobëta të mekanizmave të ndryshëm të vlerësimit të nevojave për trajnim, identifikimi i strategjive efektive të mësimdhënies dhe zhvillimi i planeve trajnuese. 

Përfituesit patën rastin që të analizojnë teori të ndryshme të mësimit për të rritur. Në veçanti u elaboruan konceptet e të mësuarit informues dhe atij transformues – teknikat e arritjes së tyre. Përmes përdorimit të metodave të mësimit për të rritur, u demonstruan teknikat e të mësuarit nga përvoja. Në fokus ishte edhe elaborimi i ciklit të mësuarit sipas metodës së Kolbit.

Planifikimi i kurrikulës dhe zhvillimi i saj ishin ndër temat që u diskutuan në këtë trajnim ku përfituesit përmes ushtrimeve demonstruan mënyrat e ndryshme të vlerësimit të nevojave dhe analizën e tyre. Në vazhdim ata u fokusuan në dhënien e ideve për temat që mund të futen në kurrikulën e IGJK-së.

Përfitues: Trajnuesit dhe stafi IGJK-së.

 

Shpërndaje :