Me 10 - 12 mars 2014, IGJK në bashkëpunim me RIPA International, ka organizuar një program trajnimi me temë “Teknikat e Hulumtimit Ligjor”. Ky program është realizuar me një agjendë mjaft të pasur në Londër - Mbretëri e Bashkuar. Programi është realizuar me ndihmën financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Programi kishte për synim avancimin e mëtutjeshëm të shkathtësive të stafit menaxhues të IGJK-së për teknikat efektive të hulumtimit ligjor dhe marrjen e ideve për dizajnimin e programit të trajnimeve për hulumtim ligjor për gjyqtarë dhe prokurorë.
Në kuadër të këtij programi ishin përfshirë sesione trajnuese ndërvepruese me trajnerë nga RIPA International, takime me odat e avokatisë të sistemit gjyqësor britanezë me fokus në ofrimin e trajnimeve dhe shërbimeve tjera profesionale për avokatët britanezë. E një rëndësie të veçantë ishte edhe vizita në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, ku pos që u informuam për funksionimin e kësaj gjykate, pjesëmarrësit patën rastin të vizitojnë edhe bibliotekën e saj dhe të diskutojnë për mënyrën regjistrimit të materialeve ligjore, përditësimin e koleksioneve etj. Shumë i frytshëm ishte edhe prezantimi nga zyrtarët e një prej databazave më të mëdha ligjore në botë ‘Westlaw’, ku u diskutua për shërbimet e saj, koleksionet e ndryshme dhe format më të përshtatshme të abonimit në të.
Përfitues: Stafi menaxhues i IGJK-së.
28-03-2014