Me 26-28 maj 2014, në kuadër të programit për trajnimin e trajnuesve, IGJK në bashkëpunim me projektin EROL të USAID, ka realizuar një trajnim për trajnues me temë: “Lidershipi fleksibil”
Qëllimi i këtij trajnimi ishte krijimi i një lidershipi të shëndoshë, fleksibil dhe të adaptueshëm, rritja e ndërgjegjësimit për stresorët e përhapur gjyqësor dhe faktorët e rrezikut si dhe identifikimi i strategjive përballuese dhe proceseve mbrojtëse.
Me rastin e këtij trajnimi për tri ditë me radhë janë prezantuar koncepte për zhvillimin e lidershipit dhe adaptueshmërisë, dimensionet e ekuilibrit të shëndoshë të mendjes së trupit dhe të shpirtit, që janë të nevojshme për një lidership në sistemin gjyqësor, duke përfshirë edhe strategjitë e menaxhimit të stresit, identifikimin e faktorëve të rrezikut dhe të kuptuarit psikik për ndryshimin e qëndrueshëm të sjelljes.
Trajnimi është zhvilluar në formë të debatit interaktiv dhe ushtrimeve praktike me ç’rast pjesëmarrësve iu është ofruar mundësia për të identifikuar shkallën e stresit në jetën e tyre, fuqitë e tyre dhe faktorët mbrojtës, si dhe fushat e rritjes për një ekuilibër të shëndosh të mendjes, trupit dhe shpirtit.
Gjithashtu pjesëmarrësit patën rastin që të shohin shembullin e lidershipit të qëndrueshëm dhe të shëndoshë përmes një filmi për Nelson Mandelen, liderin i cili ishte formuar nga një përvojë e sprovimit dhe pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve nëpër të cilat ka kaluar arrin të jetë një strateg i cili zhdukë racizmin e theksuar në vendin e tij duke falë dhe promovuar bashkëpunimin.
Përfitues të këtij trajnimi ishin trajnuesit e IGJK-së.
30-05-2014