Me 9 deri më 12 qershor 2014, IGJK në bashkëpunim me projektin e Binjakëzimi të BE-së, ka realizuar dy sesione trajnimi dy ditore si dhe një trajnim për gjyqtarët dhe prokurorët e përzgjedhur për të shërbyer si trajnues të ardhshëm të IGJK-së nga lëmi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë.
Përfitues të këtyre sesioneve trajnuese ishin gjyqtarët dhe prokurorët e caktuar si pika kontaktuese në fushën e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale, ndërsa në trajnimin e trajnuesve, gjyqtarët dhe prokurorët e përzgjedhur nga këto dy grupe.
Çështjet të cilat janë trajtuar nga ekspertët gjerman gjatë këtyre sesioneve trajnuese kryesisht kishin të bënin me parimet themelore mbi specifikat e ndihmës së ndërsjellët ligjore në përgjithësi, e në veçanti në rastet e ekstradimit, bastisjes së shtëpisë dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Vëmendje të veçantë i është kushtuar mënyrës së dërgimit të kërkesave përmes kanalit diplomatik dhe drejtpërdrejtë nëse ekziston ndonjë traktat ndërkombëtar.
Me rastin e këtij trajnimi u prezantuan edhe format standarde të kërkesave të ndryshme për asistencë juridike të unifikuara për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, dhe shembuj të ndryshëm klasik që janë përdorur më parë.
Në ditën e katërt me 12 qershor 2014, është realizuar trajnimi i trajnuesve të ardhshëm (gjyqtarë dhe prokurorë) lidhur me Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, me ç’rast është diskutuar për metodologjinë e trajnimeve, përmbajtjen e programit trajnues dhe përfituesit e trajnimeve nga kjo lëmi.
Gjatë këtij trajnimi ekspertët gjerman sugjeruan trajnuesit vendor, që të realizojnë trajnime bazike për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë njohuri të mjaftueshme lidhur me ndihmën juridike ndërkombëtare. Për këto kategori u propozuan trajnime për kërkesat për ndihmë juridike që vijnë nga jashtë dhe kërkesat që dalin jashtë. Pastaj për ekstradimin, dëgjimin e dëshmitarëve, metodat lidhur me zbatimin e hetimeve, ekipet e përbashkëta hetimore etj. ndërsa vazhdimi i këtij programi do të përfshij trajnime të specializuara ku përfshihen temat si; krimi kibernetikë, pastrimi i parave, korrupsioni, ngrirja e aseteve dhe konfiskimi nga aspekti i ndihmës ndërkombëtare juridike në këto raste.
20-06-2014