Me 13-14 tetor 2014, në kuadër të trajnimeve për avancim për prokurorët e sapo emëruar IGJK, ka realizuar sesionin e dytë trajnues të radhës me fokus në Kompetencën dhe Juridiksionin e Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte që prokurorët e sapoemëruar të njihen me legjislacionin e zbatueshëm, juridiksionin e këtij departamenti dhe llojet e akteve dhe veprimeve që duhet ndërmerr prokurori me rastin e ushtrimit të veprimtarisë prokuroriale.
Çështjet të cilat janë përfshirë në ditën e parë kanë pasur të bëjnë me organizimin e prokurorisë, llojet e veprave që hyjnë në juridiksionin e këtij departamenti, legjislacioni i zbatueshëm, organizimi i punës së prokurorit për një punë më efektive dhe veprimet e nevojshme juridike si dhe bashkëpunimi me policinë dhe institucionet tjera për zbulimin e veprave penale.
Në ditën e dytë trajnimi është fokusuar në marrjen e vendimeve mbi inicimin, vazhdimin, apo ndërprerjen e procedurës penale ndaj personave të dyshuar apo të akuzuar për kryerjen e veprave penale, institutet procedurale në funksion të përshpejtimit të procedurës penale, ngritja e aktakuzës dhe përfaqësimi si dhe roli i prokurorit në procedurën sipas mjeteve juridike dhe procedurat tjera të veçanta.
Gjatë trajnimit u prezantuan dhe u diskutuan shembuj të ndryshëm të kërkesave dhe akteve nga praktika.
Përfitues të këtij trajnimi ishin prokurorët e sapo emëruar në Prokuroritë Themelore të Kosovës.
15-10-2014