Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

23-10-2014

Konferenca e 3-të e të diplomuarve në IGJK, Gjeneratat I – IV “Profili i një gjyqtari-prokurori brenda sistemit të reformuar gjyqësor dhe prokurorial”

Me 18 tetor 2014, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka realizuar konferencën e të diplomuarve në Programin e Trajnimit Fillestar (PTF) të IGJK-së për Gjeneratat I -IV. Konferenca u realizua me mbështetjen financiare të GIZ.

Konferenca në fokus kishte rolin e IGJK-së në zhvillimin e profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të gjyqtarëve dhe prokurorëve me IGJK-në.

Në këtë kuadër, krerët më të lartë të gjyqësorit dhe prokurorisë prezantuan zhvillimet aktuale në procesin e reformimit dhe në veçanti potencuan kontributin e IGJK-së në zhvillimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryetari i Gjykatës Supreme, ndër të tjera theksoi se gjyqësori ka nevojë për një imazh të ri, i cili mund të vij vetëm përmes zhvillimit profesional.

Në prezantimin e tij Kryesuesi i KGJK-së, u fokusua në kandidatët e PTF-së, që i konsideroi si një begati për sistemin gjyqësor.

U.D. i Kryeprokurorit krahas prezantimit të zhvillimeve në kuadër të sistemit prokurorial, theksoi faktin se me funksionalizimin e mekanizmave për vlerësimin e performancës e prokurorëve do të ndërmirren edhe veprime që mund të obligojnë prokurorët në ndjekjen e trajnimeve në IGJK.

Krahas krerëve të gjyqësorit e prokurorisë në këtë konferencë prezantuan tema të ndryshme edhe të diplomuarit në PTF. Fokusi i tyre ishte në përfitimet që kanë pasur si pjesë e PTF-së dhe për nevojën e bashkëpunimit intensiv në mes të diplomuarve dhe IGJK-së.

Ishte konstatim i përgjithshëm se procesi i përzgjedhjes për kualifikim në ndjekjen e trajnimit fillestar nga IGJK është profesional dhe i bazuar në merita. Përgatitja në PTF, ka ndikuar që të diplomuarit nga ky program, të përballojnë suksesshëm sifdat dhe reformat në gjyqësor. Për më tepër, u konstatua se ekzistojnë mundësitë, në programet e IGJK-së për zhvillimin profesional, megjithatë gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë më kërkues dhe aktiv në procesin e hartimit të programeve trajnuese.

Në këtë aspekt, në mënyrë që komunikimi në mes IGJK-së dhe gjyqtarëve e prokurorëve të intensifikohet, u themelua Rrjeti i të Diplomuarve në IGJK, i cili si një mekanizëm joformal synon arsimimin e vazhdueshëm, nxitjen e hulumtimeve dhe publikimeve shkencore e të praktikës gjyqësore, të anëtarëve aktual dhe të ardhshëm të saj.

Përfitimet e Rrjetit shprehen në:

  • Zhvillimin e programeve trajnuese profesionale, bazuar në një proces të qëndrueshëm për vlerësimin e nevojave trajnuese, si dhe organizim të trajnimeve sipas metodologjisë bashkëkohore.
  • Zhvillimin e mëtutjeshëm të burimeve ligjore dhe resurseve të bibliotekës së IGJK-së.
  • Publikimet e punimeve profesionale.

Pjesëmarrësit zgjodhën kryesinë e Rrjetit që përbëhet nga një gjyqtar dhe një prokuror i secilës gjeneratë përfshirë Koordinatorin e IGJK-së. 

Përfitues të konferencës ishin gjyqtarët dhe prokurorët që kanë diplomuar në PTF të IGJK-së.

         

Shpërndaje :