Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

10-12-2014

Punëtori rajonale “Bashkëpunim gjyqësor në çështje civile dhe tregtare” - Podgoricë – Mali i Zi

Me 1 dhe 2 dhjetor 2014 në Podgoricë të Malit të Zi është mbajtur një punëtori me temë “Bashkëpunim gjyqësor në çështje civile dhe tregtare”. Ky aktivitet është mbështetur nga GIZ Open Regional Fund for South East Europe - Legal Reform. Në këtë punëtori morën pjesë zyrtarë të shteteve të Ballkanit Perëndimor që pretendojnë anëtarësimin në BE dhe nga Republika e Kroacisë (ministritë e drejtësisë, gjyqtarë, zyrtarë të institucioneve dhe akademive gjyqësore dhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare private të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë).

Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie ishte përmirësimi i bashkëpunimit gjyqësor rajonal në çështjet civile që kanë implikime ndërkufitare. Në këtë drejtim Bashkimi Evropian është duke nxitur zhvillimin e bashkëpunimin gjyqësor bazuar në njohjen e ndërsjellë të vendimeve gjyqësore dhe jashtë gjyqësore.

Në fillim të tryezës u prezantuan synimet e projektit, ndërsa pjesëmarrësit nga secili shtet paraqiten nga një panoramë të përgjithshme mbi zhvillimet e të fundit në fushën e bashkëpunimit gjyqësor, marrëveshjet dypalëshe ose ndërkombëtare si dhe të dhënat për rastet nga kjo fushë përfshirë edhe ato për trajnimet lidhur me bashkëpunimin gjyqësor.
Grupi i pjesëmarrësve nga Republika e Kosovës ka qenë në përbërje z.Arbër Gegaj, Drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, z.Islam Sllamniku, Trajnues gjyqësor në IGJK dhe z. Atdhe Berisha, gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Prizren. Për Republikën e Kosovës sipas agjendës një prezantim e paraqiti z. Gegaj, u elaboroi legjislacionin e brendshëm në fuqi në këtë fushë dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ka ratifikuar Republika e Kosovës në lëmin e bashkëpunimit gjyqësor, marrëveshjet dypalëshe dhe aktivitetet tjera te institucioneve legjislative dhe ekzekutive që lidhen me këtë lëmi.
Nga perspektiva e IGJK-së janë prezantuar aktivitetet e IGJK-së (trajnimet që janë zhvilluar me tematikë në bashkëpunimin ndërkombëtarë në çështjet civile dhe tregtare si dhe aktet ndërkombëtare) me fokus në aktivitetet e realizuara në mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë që nga viti 2008.  
Në këtë punëtori është zhvilluar një debat produktiv me pyetje përgjigje dhe prezantim të analizave rajonale i cili rezultojë me rekomandime konkrete nga ekspertët rajonal dhe Instituti Max-Planck (Hamburg).
Në fund të punëtorisë u identifikuan aktivitetet dhe u zhvillua një plan veprimi lidhur me aktivitetet që duhet të zhvillohen në të ardhmen e qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet civile. Me këtë rast secili delegacion u zotua se do të realizojë detyrat dhe obligimet që dalin nga ky projekt por dhe marrëveshjet që do të nënshkruhen dhe vendimet që do të merren nga instancat shtetërore relevante në këtë fushë të bashkëpunimit. Konform kësaj IGJK u zotua se do të hartoj programe dhe do t’i freskoj ato ne pajtim me obligimet që dalin nga procesi i integrimeve evropiane, marrëveshjet ndërkombëtare dhe ato bilaterale në lëmin e bashkëpunimit gjyqësor ne çështjet civile.

Shpërndaje :