Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë respektivisht Departamentin e Mjekësisë Ligjore, me datë 19-21 dhjetor 2014, kanë organizuar tryezën e punës “Ekspertiza mjeko ligjore - Sfidat në zbatimin praktik të legjislacionit”.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi i aspekteve praktike të punës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe ekspertëve të mjekësisë ligjore si dhe institucioneve respektive duke synuar ngritjen e efikasitetit dhe profesionalizimit reciprok në përmbushje të obligimeve ligjore.
Në kuadër të tryezës janë diskutuar tema të rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e mjekësisë ligjore si; legjislacioni penal në raport me ekspertizën mjekoligjore, sfidat e prokurorive në zbatimin e legjislacionit nga fusha e mjekësisë ligjore, bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë, objektet e ekspertimit mjeko-ligjor deh çështje tjera të karakterit praktik.
Një pjesë mjaft e rëndësishme e kësaj tryeze ishte prezantimi i Prof. Dr. Sokrat Meksi, ekspert i mjekësisë ligjore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, i cili u përqendrua në temën “Kontributi Shkencor i Ekspertimit Mjekoligjor në ndihme të organeve të Drejtësisë”, ku prezantoi arritjet shkencore në fushën e mjekësisë ligjore dhe ndërlidhjen e tyre me punën që duhet të bëjnë ekspertët e mjekësisë ligjore dhe profesionistët gjyqësor në funksion të vënies së drejtësisë në rastet e ndryshme gjyqësore.
Pjesë e kësaj tryeze ishte vizita në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë me qëllim të njohjes nga afër me punën e këtij institucioni në mbështetje të gjyqësorit me ekspertizë mjekoligjore.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Instituti Gjyqësor të Kosovës, Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Departamentit të Mjekësisë Ligjore, gjyqtarë dhe prokurorë.
26-12-2014