Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

09-12-2014

Ekzekutimi i masave, dënimeve dhe ndryshimi i vendimit për shqiptimin e tyre

Më 09 dhjetor 2014, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur trajnimin me temë “Ekzekutimi i masave, dënimeve dhe ndryshimi i vendimit për shqiptimin e tyre”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte kontributi në zbatimin e drejtë të ekzekutimit të masave dhe dënimeve nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dallimin e rasteve kur ekzekutimet bëhen nga prokurori prej atyre që bëhen nga gjyqtari për të mitur, kolegji ose trupi gjykues për të mitur si dhe interpretimin e drejtë të rasteve kur bëhet ndryshimi i vendimit të formës së prerë.

Në përmbajtje ky trajnim kishte mbikëqyrjen e ekzekutimit dhe pengesat e mosekzekutimit të masave të diversitetit dhe ekzekutimin e urdhrit për punë në dobi të përgjithshme. Këto masa janë pjesë përbërëse e punës praktike dhe zënë një vend të rëndësishëm në tërësinë e masave dhe dënimeve të cilat mund t’iu shqiptohen të miturve, përfshirë dhe ekzekutimin e masave edukuese dhe ekzekutimin e dënimeve për të mitur.

Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive me diskutime dhe pyetje nga pjesëmarrësit ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues i Kosovës, të cilët diskutuan me gjyqtarë dhe prokurorë për sfidat me të cilat ballafaqohen dhe bashkëpunimin në mes tyre. Po ashtu u prezantuan edhe raste nga praktika gjyqësore të përgatitura nga trajnuesit për zgjidhjen e kontesteve në këtë lëmi.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët për të mitur të nivelit themelor dhe të apelit si dhe zyrtarët e Shërbimit Sprovues të Kosovës.

 

Shpërndaje :