22-08-2025

THIRRJE PËR APLIKIM – Kursi HELP – “E drejta për Liri dhe Siguri / Neni 5”

 Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës fton profesionistët ligjorë që të aplikojnë për ndjekjen e Kursit me temë: “E drejta për Liri dhe Siguri / Neni 5”, në platformën HELP. 

 E drejta për liri dhe siguri është një e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për shoqëritë demokratike. Ajo mbanë një pozicion kyç në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), konkretisht në Nenin 5, i cili siguron mbrojtje nga privimi arbitrar ose i pajustifikuar i lirisë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) luan një rol vendimtar në interpretimin e këtij neni, duke ofruar udhëzime të hollësishme mbi masat mbrojtëse të kërkuara kundër ndalimit arbitrar.

 Sipas kornizës së BE-se, e drejta për liri dhe siguri është e përfshirë në Nenin 6 të Kartës së të Drejtave Themelore, duke mbrojtur individët nga ndalimi arbitrar. Mandati i Arrestit Evropian (MAE) lehtëson ekstradimin ndërmjet shteteve anëtare, por duhet të respektojë këto të drejta duke siguruar që çdo arrestim ose dorëzim është i ligjshëm dhe proporcional. 

 Ky kurs online HELP është krijuar për të pajisur gjyqtarë, prokurorë, bashkëpunëtor profesional, zyrtar ligjor si dhe profesionistët e tjerë ligjorë me shkathtësitë e nevojshme për të zbatuar në mënyrë efektive standardet e së drejtës për liri.

 Kursi përbëhet nga katër module thelbësore: 

 1. Hyrje; 

2. Privimi i autorizuar i lirisë; 

3. Ligjshmëria; 

4. Masat mbrojtëse. 

Kursi parashihet të zgjasë rreth dy (2) muaj nga data e lansimit. 

Ky kurs do të lansohet më 10 shtator 2025, ofrohet përmes Platformës së Këshillit të Evropës HELP dhe tutor do të jetë z. Dren Paca, Prokuror në Prokurorinë Speciale. Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë trajnim, mund të aplikojnë deri me 05 shtator 2025, duke dërguar email me të dhënat e tij/saj (emri, pozitën dhe institucionin ku punon, tel.), tek Zyrtari për mësim në distancë në e-mailin: 

 📧 naim.h.qerimaj@rks-gov.net 

 📞 Nr. Tel: +383 (0) 38 200 68 009

Shpërndaje :