Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës fton profesionistët ligjorë të aplikojnë për ndjekjen e Kursit për të Drejtat e Njeriut për Profesionistët Ligjor (HELP) me temë:” Qasja e Grave në Drejtësi”, i cili synon që të ndihmojë profesionistët ligjorë që të kuptojnë barrierat ligjore dhe të tjera në qasjen në drejtësi duke e aplikuar një thjerrë gjinore në punën e tyre të përditëshme.
Edhe pse statusi ligjor i grave në Evropë është përmirësuar gjatë dekadave të fundit, megjithatë barazia efektive midis grave dhe burrave është larg të qenit realitet. Prandaj shtetet kanë marrë angazhime specifike për të përmirësuar qasjen e grave në drejtësi dhe parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave. Roli i profesionistëve ligjorë të sistemit të drejtësisë në sigurimin dhe forcimin e qasjes në drejtësi për gratë është thelbësor në arritjen e barazisë dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë në shoqëri.
Kursi HELP Qasja e Grave në Drejtësi organizohet në kuadër të projektit regjional” Qasja e grave në drejtësi në Ballkanin Perëndimor” dhe mbulon në mënyrë interaktive një përmbledhje gjithëpërfshirëse të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane të të drejtave të njeriut, të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikave të mira të vendosura nga shtetet. Duke përdorur objektivin e qasjes së grave në drejtësi, ai do t'u ofrojë profesionistëve ligjorë një mjet të veçantë dhe konkret për promovimin e drejtësisë me ndjeshmëri gjinore.
Kursi përbëhet nga gjashtë module thelbësore:
1. Hyrje në konceptin e qasjes në drejtësi;
2. Korniza ligjore ndërkombëtare dhe evropiane;
3. Diskriminimi në bazë të seksit dhe gjinisë;
4. Shmangia e stereotipeve gjinore;
5. Udhëzime praktike për të përmirësuar qasjen e grave në drejtësi;
6. Qasja e ndjeshme gjinore në zbatimin e ligjit
Ky kurs do të lansohet më 17 prill 2024 dhe ofrohet online përmes Platformës HELP (Edukimi i të Drejtave të Njeriut për Profesionistët Ligjorë), e cila është platforma kryesore arsimore e Këshillit të Evropës për ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve ligjorë.
Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë trajnim, mund të aplikojnë deri më 12 prill 2024, duke dërguar një email me të dhënat e tij/saj ( emri, institucioni, email, tel) tek tutorja e angazhuar për zbatimin e këtij kursi znj. Arberita Kryeziu, në emailin: arberita.kryeziu@gmail.com