21-03-2025

THIRRJE PËR APLIKIM – Kursi HELP – “Të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisi”

Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës fton profesionistët ligjorë që të aplikojnë për ndjekjen e Kursit me temë: “Të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisi”, në platformën HELP.

Humbja e biodiversitetit, ndryshimet klimatike, zhdukja e specieve, ndotja dhe degradimi i përgjithshëm i ekosistemeve kanë një ndikim të thellë botëror në gëzimin e të drejtave të njeriut dhe kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar më të gjerë të mundshëm për të parandaluar ose korrigjuar këtë efekt negativ. Mbrojtja e mjedisit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë të ndërlidhura: ato nuk mund të arrihen pa tjetrën dhe as në kurriz të njëra-tjetrës. Jeta dhe mirëqenia në planetin tonë janë të kushtëzuara nga kapaciteti ynë kolektiv për të garantuar si të drejtat e njeriut ashtu edhe një mjedis të shëndetshëm për brezat e ardhshëm. Një numër standardesh ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kartën Sociale Evropiane, janë përdorur me sukses në çështjet mjedisore.

Kursi HELP “Të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisi” trajton kornizat ligjore dhe qasjet praktike që do të ndihmojnë praktikuesit ligjorë dhe të tjerët në kuptimin e lidhjeve midis të drejtave të njeriut dhe mjedisit, në veçanti se si të zbatojnë një qasje e bazuar në të drejtat e njeriut për mbrojtjen e mjedisit.

Kursi përbëhet nga katër module thelbësore:

1. Konceptet kryesore;

2. Qasja e bazuar në të drejtat e njeriut për mbrojtjen e mjedisit;

3. Të drejtat e gjelbërta të njeriut në sistemet rajonale të të drejtave të njeriut;

4. Degradimi i mjedisit dhe llogaridhënia e korporatës.

Kursi parashihet të zgjasë rreth dy (2) muaj nga data e lansimit.

Ky kurs do të lansohet më 07 prill 2025, ofrohet përmes Platformës së Këshillit të Evropës HELP dhe tutor do të jetë Gjyqtari i Gjykatës Supreme z. Afrim Shala.

Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë trajnim, mund të aplikojnë deri me 02 prill 2025, duke dërguar një email me të dhënat e tij/saj (emri, institucioni, email, tel.) tek Zyrtari për mësim në distancë në emailin: naim.h.qerimaj@rks-gov.net

 

 

Shpërndaje :