blog-post

Postuar më: 05-02-2024

Drejtësia kushtetuese në raport me sistemin gjyqësor dhe prokurorial

Sot më 05 shkurt 2024, në kuadër të Programit për Trajnime Fillestare, filloi trajnimin teorik gjenerata e XI e Gjyqtarëve të sapoemëruar. Fillimisht Gjyqtarëve mirëseardhje u uroi Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj, i cili potencoi edhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme prej Këshillit Gjyqësor dhe Akademisë së Drejtësisë ndaj Gjyqtarëve të sapoemëruar. Gjithashtu Kryesuesi Zogaj vlerësoi lartë gatishmërinë e Akademisë së Drejtësisë për përgatitjen e Programit Trajnues, duke uruar dhe shpresuar që ky Program Trajnues do j’u shërbejë Gjyqtarëve në ngritjen dhe përmirësimin e aftësive profesionale sipas pritshmërive. Moduli i parë i cili po trajtohet në ditën e parë është “Drejtësia kushtetuese në raport me sistemin gjyqësor dhe prokurorial”, si pjesë e kurrikulës Rendi Juridik Kombëtar dhe Ndërkombëtar. Në këtë modul do të trajtohet funksioni i Gjykatës Kushtetuese në sistemin ligjor të Kosovës, kompetencat dhe roli i Gjykatës Kushtetuese në sistemin ligjor, duke përfshirë interpretimin e Kushtetutës dhe mbrojtjen e të drejtave themelore në aspektin kushtetues. Gjithashtu do të trajtohet procesi i emërimit dhe përbërja e Gjykatës Kushtetuese duke theksuar pavarësinë dhe profesionalizmin e anëtarëve të saj. Përfitues të trajnimit janë 15 Gjyqtarët e sapoemëruar (gjenerata e XI).

Shpërndaje :