
Vizita e Studentëve të Klinikës Ligjore të IKD-së në Akademinë e Drejtësisë
Sot, më 13 shkurt 2025, studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) patën mundësinë të vizitojnë Akademinë e Drejtësisë, ku u mirëpritën nga Drejtori Ekzekutiv, z. Enver Fejzullahu.
Gjatë vizitës, z. Fejzullahu i njoftoi studentët me përgjegjësitë, kompetencat dhe programet zhvillimore të Akademisë së Drejtësisë. Po ashtu, ata morën informacione të vlefshme për programet trajnuese si Programi Fillestar për gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar, si dhe Programi i Vazhdueshëm për ata që janë aktualisht në detyrë.
Studentët patën mundësinë të angazhoheshin në diskutime, duke bërë pyetje lidhur me përzgjedhjen e trajnuesve dhe aktivitetet zhvillimore të Akademisë, të cilat kanë për qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ky aktivitet paraqet përkushtimin e Akademisë së Drejtësisë drejt një bashkëpunimi të mirëfilltë ndërmjet Akademisë dhe studentëve të Klinikës Ligjore, duke ofruar një mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave të reja për studentët.
Postuar më: 13-02-2025