blog-post

Postuar më: 12-10-2023

Trajnim mbi menaxhimin e kontratës dhe vlerësimin e performancës se kontraktorëve përmes e-prokurimit

Me datë 12 tetor 2023, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë kanë realizuar trajnimin me temë: “Menaxhimi i kontratës dhe vlerësimi i performances së kontraktorëve përmes sistemit të e-prokurimit”.

Ky trajnim i është dedikuar stafit të Akademisë së Drejtësisë, Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe u ofrua nga z. Osman Bytyçi, Udhëheqës i Divizionit për Monitorim në KRPP dhe trajnues në fushën e prokurimit publik.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte njohja me platformën e sistemit të e-prokurimit e cila i’u lehtëson menaxherëve të kontratave nga institucionet publike menaxhimin e kontratës dhe vlerësimin e performances së kontraktorëve.

Trajnimi në fillim u përqendrua në shpjegimet e nevojshme sa i përket monitorimit të kontratave, krijimit të dokumentit të planit të menaxhimit të kontratës, planit të azhurnuar, menaxhimit të ekzekutimit të kontratave, faturave duke përfshirë edhe specifikat tjera si përmbyllja e kontratës, ndërprerja, porositë sipas kontratave të centralizuara dhe menaxhimi i mini tenderëve.

Në vijim u trajtuan edhe vlerësimi i performancës së kontraktorëve, procesi i vlerësimit të një kontrate, modifikimi i vlerësimit të një kontrate, aprovimi si dhe monitorimi i performancës së kontraktorëve.

Në pjesën e pasdites u demonstrua platforma dhe funksionaliteti i saj përmes moduleve të dizajnuara për menaxhimin e kontratës dhe vlerësimin e performances së kontraktorëve përmes sistemit të e-prokurimit. Gjatë këtij trajnimi gjithashtu u diskutuan edhe çështjet ligjore dhe praktikat më të mira sa i përket menaxhimit të kontratave në prokurimin publik.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin rreth 30 zyrtarë të prokurimit, zyrtarë përgjegjës dhe të ngarkuar për menaxhim të kontratave të këtyre tri (3) Autoriteteve Kontraktuese, të cilët në fund të trajnimit u pajisën me certifikata të pjesëmarrjes.

Shpërndaje :