Aftësitë e Prokurorëve për Paraqitjen e Çështjes në Gjyq
Më 25 tetor 2023, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës së Shqipërisë, në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta për prokurorët e dy vendeve realizuan në Tiranë trajnimin me temë: “Aftësitë e Prokurorëve për Paraqitjen e Çështjes në Gjyq”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira të dy vendeve sa i përket përfaqësimit të çështjes në gjykatë nga ana e prokurorit.
Ne hapjen e këtij trajnimi ishte prezent Drejtori i Shkolles se Magjistratures, z. Arben Rakipi dhe znj. Luljete Hetemi, Udheheqese e PHP-se ne Akademine e Drejtesise. Nga të dy institucionet u konfirmua përkushtimi i mëtejme për aktivitetet tjera të radhës të cilat do të përafrojnë edhe më tej njohjen e ndërsjellë, komunikimet dhe ndarjen e praktikave më të mira në funksion të bërjes më të mirë të drejtësisë.
Trajnimi në fillim u përqendrua në perspektiven e jurisprudencës së Shqipërisë sa i përket hetimit dhe gjykimit dhe specifikat e paraqitjes së çështjeve në gjykatë e cila u elaborua në mënyrë të hollësishme nga Drejtori i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë z. Arqilea Koça e pastaj edhe nga perspektiva Kosovare U.D i Kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës z. Besim Kelmendi.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rasteve kur paraqitja e çështjes në gjykatë do të realizohet nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe përgatitjet që duhet pasur në konsideratë prokurorët në rastet e tilla. Për këto situata u ofruan përparësitë dhe dobësitë eventuale si dhe përvojat praktike nga të dy sistemet juridike.
Prokurorët nga dy vendet patën rastin e diskutimit për shumë çështje ligjore si për urdhrat hetimor, aktin e delegimit të hetimit te policia, për planet e hetimit dhe veprime tjera hetimore për të cilat u ofruan praktikat më të mira dhe njëherësh zgjidhjet më të mire ligjore që janë fushë veprim i tyre.
Këtë trajnim e vijuan 11 prokurorë nga Kosova nga të gjitha instancat dhe regjionet e Kosovës si dhe 12 prokurorë nga Shqipëria.
Postuar më: 25-10-2023