Ceremonia e çertifikimit të pjesëmarrësve në kursin HELP
Më 24 janar 2023, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë, organizuan ceremoninë e çertifikimit të pjesëmarrësve të cilët kanë përfunduar kursin me temë: “Luftimi i Dhunës kundër grave, dhunës në familje” përmes platformës së mësimit në distancë HELP.
Ky kurs kishte për qëllim të trajtojë në mënyrë interaktive konceptet kryesore, kornizën ligjore ndërkombëtare dhe evropiane dhe praktikën gjyqësore në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes së grave dhe vajzave nga dhuna, duke i kushtuar vëmendje të veçantë Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (e ashtuquajtura Konventa e Stambollit).
Kursi përmbante tetë module, të cilat përfshinin aspekte të ndryshme të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të cilat kishin limite kohore të përcaktuara në pajtueshmëri me materialet e përcaktuara në secilën prej tyre.
Njëherit Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë z. Enver Fejzullahu dhe shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë z. Frank Power falënderuan të gjithë profesionistët ligjor që ishin pjesë e këtij kursi gjatë vitit 2022, i cili çdo vit e më shumë po ndiqet nga grupe të ndryshme të profesionistëve ligjor.
Ceremonia e çertifikimit u organizua me pjesëmarrës nga nivele të ndryshme si: Gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të qendrave për punë sociale, bashkëpunëtorë profesional, zyrtar ligjorë.
Postuar më: 24-01-2023