Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Drejtësisë së Kosovës dhe të Akademisë së Drejtësisë në Turqi, dhe realizohet punëtoria rajonale në fushën komerciale me pjesëmarrje të gjyqtarëve nga Kosova dhe Shqipëria
Me datë 27 shkurt 2023 në Antalya të Turqisë, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Drejtësisë të Turqisë dhe Akademisë së Drejtësisë të Kosovës.
Marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Akademisë së Drejtësisë të Turqisë z. Muhittin Ozdemir dhe Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë të Kosovës z. Enver Fejzullahu në prezence të delegacioneve pjesëmarrëse nga Kosova dhe Shqipëria në punëtorinë rajonale e cila po zhvillohet për Drejtësinë Komerciale dhe Praktikat Ligjore në të Drejtat e Pronësisë Intelektuale.
Kjo punëtori vjen si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit paraprak të institucioneve trajnuese nga Turqia, Kosova dhe Shqipëria. Pjesëmarrës në punëtori nga Kosova janë përfaqësuesit nga Akademia e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Gjykata Komerciale e Kosovës. Gjithashtu pjesëmarrësit nga Shqipëria janë gjyqtarët nga fusha komerciale të udhëhequr nga Shkolla e Magjistraturës se Shqipërisë.
Me anë të kësaj marrëveshje, Akademia e Drejtësisë së Kosovës dhe Akademia e Drejtësisë Turke u zotuan ta vazhdojnë dhe forcojnë bashkëpunimin e shkëlqyer mes tyre në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, gjegjësisht në shkëmbimin e përvojave dhe aktiviteteve tjera me interes të përbashkët për të ardhmen.
Në vazhdim të realizmit të ceremonisë së Marrëveshjes së bashkëpunimit, është duke u realizuar punëtoria rajonale për Drejtësinë Komerciale dhe Praktikat Ligjore për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale. Në këtë punëtori pjesëmarrësit do të njoftohen më shumë rreth aktiviteteve të Akademisë së Drejtësisë në Turqi, rregullativës ligjore në fushën komerciale në Turqi, në veçanti rreth pronësisë intelektuale, patentave, markave tregtare, Konventës ndërkombëtare të tregtisë dhe praktikat gjyqësore.
Pjesë e ligjërimit janë gjyqtarë, ekspertë dhe profesorë të fushës nga Shteti i Turqisë si, Prof. Fulurya Yusufoglu nga Universiteti i Galatasarayt, si dhe gjyqtarët Selin Selcuk, Dr. Yasemin Yucesoy, Ata Durak, Selin Sert, Seda Duysak, Yusuf Sahin dhe Sahin Cifti.
Postuar më: 27-02-2023