Seminar ndërkombëtar “Të miturit e pashoqëruar si viktima ose dëshmitarë në një rrjet të krimit të organizuar”
Më 13 dhe 15 nëntor 2024, në Napoli të Italisë, u organizua seminari i dytë i projektit JUST Child, i financuar nga Programi i Drejtësisë i Bashkimit Evropian, me ftesë të Shkollës së Magjistraturës së Francës. Tema e Seminarit ishte: "Të miturit e pashoqëruar si viktima ose dëshmitarë në rrjetet e krimit të organizuar".
Në këtë seminar morën pjesë përfaqësues nga Gjykata Supreme e Kosovës, Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Themelore – Departamenti për të mitur dhe përfaqësues nga Akademia e Drejtësisë. Qëllimi i seminarit ishte përmirësimi i drejtësisë miqësore për fëmijët, në përputhje me strategjitë e Bashkimit Evropian. Ky projekt fokusohet kryesisht në mbrojtjen e fëmijëve më vulnerabël, veçanërisht të miturve të pashoqëruar, të cilët janë në rrezik të shfrytëzohen nga grupet e krimit të organizuar, veçanërisht në kontekstin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Seminari përfshiu aktivitete dhe sesione të ndryshme për profesionistë nga shtete të ndryshme të Evropës, si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, akademikë, dhe përfaqësues të organizatave që punojnë me të mitur të pashoqëruar. Ata trajtuan çështje të rëndësishme lidhur me të drejtat e fëmijëve që janë autorë, dëshmitarë ose viktima në procese penale që lidhen me krimin e organizuar ndërkufitar.
Pjesëmarrës në këtë seminar ishin: Afrim Shala, Gjyqtar në Gjykatën Supreme, Sebahate Hoxha, Prokurore në Prokurorinë Speciale, Merita Shala, Prokurore në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Departamenti për të Mitur, Linda Fejzullahu, Zyrtare e Lartë për Komunikim dhe Bashkëpunim Institucional, Akademia e Drejtësisë.
Seminari shërbeu si mundësi për të siguruar një trajtim më të mirë dhe më të drejtë të fëmijëve të mitur në sistemin e drejtësisë, duke u fokusuar në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, veçanërisht në kontekstin e krimeve ndërkombëtare dhe të organizuara.
Postuar më: 18-11-2024