Duke marr parasysh ndryshimin e shpeshtë të legjislacionit penal, emërimin e një numri gjithnjë e më të madh të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, si dhe ngarkesën tepër të madhe më lëndë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që ushtrojnë detyrën e tyre për një kohë më të gjatë, Akademia e Drejtësisë, në mbështetje të GIZ-it dhe në bashkëpunim më autorët e këtij botimi kanë parë si të nevojshme që të hartohen format e shkresave penale, të cilat mund të ndihmojnë dhe lehtësojnë punën e përditshme të të gjithë personave që punojnë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, qoftë si gjyqtarë apo prokuror, qoftë si staf mbështetës.
Për secilën çështje apo situatë të trajtuar brenda këtij doracaku janë identifikuar me hollësi praktikat më të mira gjyqësore, përfshirë edhe praktikën e Gjykatës Supreme, dhe mbi këtë bazë janë dhënë udhëzimet për shkrimin dhe arsyetimin ligjor. Janë hulumtuar me hollësi të gjitha paqartësitë dhe format e ndryshme të veprimeve për secilën çështje të identifikuar dhe mbi këto të gjetura janë dhënë udhëzimet adekuate.