Takim me përfaqësues nga Fondacioni Gjerman për Bshkëpunim Ligjor Ndërkombëtarë (IRZ)
Më 10 mars 2023, z. Enver Fejzullahu-Drejtori Ekzekutiv, znj. Luljete Hetemi, Udhëheqëse e Programit për Hulumtime dhe Publikime dhe znj. Valmira Pefqeli, Udhëheqëse e Programit të Trajnimit Fillestar në Akademinë e Drejtësisë zhvilluan një takim të përbashkët me znj. Frauke Bachler - Drejtoreshë e përgjithshme e IRZ-së, z. Frank Hupfeld - Drejtor për Evropen Juglindore, Sektori Bilateral dhe z. Volkmar Theobald, Drejtor i Projektit EUKOJUST.
Qëllimi i këtij takimi ishte vazhdimi i bashkëpunimit në sferën e trajnimit gjyqësor me theks në të drejtën evropiane meqenëse Kosova është e orientuar në integrimin Evropian dhe në anëtarësimin e strukturave të saj.
Me rastin e takimit u diskutua për aktivitetet e realizuara në mbështetje të këtij fondacioni me theks te vizitat e realizuara për gjyqtarët dhe prokurorët në gjykatat dhe prokuroritë në Bon, Trier dhe Koblenz dhe veçanërisht në Akademinë Gjermane të Drejtësisë dhe Akademinë e së Drejtës Evropiane. Lidhur me këto të fundit nga ana e drejtorit të AD-së u parashtrua nevoja e përfshirjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve Kosovar në programet, konferencat dhe format tjera të trajnimit gjyqësor që ofron ky institucion për gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë tjerë ligjor për vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në fund të takimit nga dy palët u konfirmua bashkëpunimi edhe më tej dhe realizimi i aktiviteteve të përbashkëta për shkëmbimin profesional dhe fuqizimin e kontakteve në mes të gjykatave në rajon.
Postuar më: 10-03-2023