blog-post

Postuar më: 22-10-2026

Trajnimi i Trajnuesve - Liria e Shprehjes - Neni 10 i KEDNJ

Më 22 dhe 23 tetor 2026, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me Projektin PROFREX të Këshillit të Evropës, ka filluar realizimin e Trajnimit të Trajnuesve me temë “Liria e Shprehjes – Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)”. Trajnimi synon avancimin e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve për zbatimin e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e lirisë së shprehjes, në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjatë ditës së parë të trajnimit, janë duke u trajtuar parimet themelore të lirisë së shprehjes dhe kushtet për kufizimin e saj, çështjet që lidhen me shpifjen dhe fyerjen, si dhe analiza e rasteve konkrete bazuar në kriteret dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjithashtu, vëmendje e veçantë i kushtohet balancimit të së drejtës për respektimin e jetës private, sipas nenit 8, dhe lirisë së shprehjes, sipas nenit 10 të KEDNJ-së, si dhe standardeve evropiane për parandalimin e përdorimit të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP). Gjatë ditës së dytë, do të trajtohen çështjet që lidhen me qasjen në dokumente publike sipas legjislacionit vendor, praktika gjyqësore dhe roli i Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Programi përfshin gjithashtu ushtrime praktike dhe prezantime të diskutimeve në grupe, me qëllim forcimin e aftësive analitike dhe praktike të pjesëmarrësve. Përfitues të këtij trajnimi janë gjyqtarët e Gjykatës Supreme, të Gjykatës së Apelit dhe të gjykatave themelore. Përmes këtij aktiviteti, Akademia e Drejtësisë dhe Projekti PROFREX i Këshillit të Evropës kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe në avancimin e zbatimit të standardeve evropiane për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera themelore të njeriut.

Shpërndaje :