Akademia e Drejtësisë fillon takimet për identifikimin e nevojave trajnuese për Programin e Trajnimeve 2027
Në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave trajnuese për hartimin e Programit të Trajnimeve për vitin 2027, Akademia e Drejtësisë ka nisur ciklin e takimeve konsultative me gjykatat dhe prokuroritë në të gjithë vendin, të cilat do të zhvillohen gjatë periudhës 15–19 qershor 2026.
Më 15 qershor 2026, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, së bashku me stafin udhëheqës të Departamentit të Programit të Trajnimit, zhvilluan takime me përfaqësuesit e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me qëllim identifikimin e prioriteteve dhe sfidave që duhet të adresohen përmes aktiviteteve trajnuese gjatë vitit 2027.
Gjatë takimit me Kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Ngadhnjim Arrni, u diskutuan sfidat që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e trajnimeve, si dhe u identifikuan fusha prioritare për ngritjen e kapaciteteve profesionale. Theks i veçantë iu kushtua temave që lidhen me juridiksionin e Departamentit Special, përfshirë krimin e organizuar dhe korrupsionin, pastrimin e parave dhe gjykimin në mungesë. Gjithashtu, u dakordua që në vijim të zhvillohen takime të veçanta me udhëheqësit e departamenteve për të konkretizuar tema shtesë që do të përfshihen në programin trajnues.
Në takimin me Zëvendës Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Arianit Salihu, dhe administratoren znj. Feride Isufi, u diskutuan sfidat me të cilat përballet institucioni, veçanërisht në raport me numrin e kufizuar të prokurorëve dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve profesionale. Si prioritete trajnuese u identifikuan temat që lidhen me krimin kibernetik, mashtrimet online, veprat penale kundër detyrës zyrtare, mbrojtjen e të drejtave të njeriut në procedurën penale, procedurat e sekuestrimit dhe konfiskimit, pastrimin e parave, si dhe përdorimin e masave të veçanta hetimore.
Gjatë diskutimeve u theksua se këto fusha paraqesin sfida të vazhdueshme në praktikën gjyqësore dhe prokuroriale, për shkak të dilemave dhe interpretimeve të ndryshme ligjore, përfshirë vlerësimin e elementeve subjektive të veprave penale, si dhe çështje të tjera me rëndësi për vendimmarrje të drejtë dhe të bazuar në ligj.
Akademia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që, përmes një procesi gjithëpërfshirës të konsultimit me institucionet e sistemit të drejtësisë, të hartojë një program trajnues që reflekton nevojat reale të praktikës dhe kontribuon në ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Postuar më: 15-06-2026