blog-post

Postuar më: 14-06-2024

Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë pjesë e Asamblesë Gjenerale të EJTN

Më 12 dhe 13 qershor 2024, EJTN organizoi Asamblenë e Përgjithshme nën presidencën Belge si anëtare e Institutit Gjyqësor për Trajnime pjesë e së cilës ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i AD-së z. Enver Fejzullahu.

Asambleja u zhvillua në Bruksel të Belgjikës dhe ishte një nga ngjarjet me pjesëmarrjen më të lartë me rreth 100 përfaqësues, anëtarë të EJTN-së, anëtarë të asociuar, vëzhgues dhe partner.

Si fillim në seancën plenare organizatorët e Asamblesë u dhanë delegatëve një pasqyrë të aktiviteteve dhe partneriteteve të EJTN-së. U diskutuan gjithashtu tema kryesore që do të formësojnë të ardhmen e EJTN, si dhe u trajtuan sfidat si: Programet e shkëmbimit, metodat trajnuese, gjuha në grupet punuese si dhe dixhitalizimi si një nga sfidat e përvitshme.

Gjithashtu gjatë grupeve punuese pjesëmarrësit patën rastin të trajtojnë tri (3) elemente thelbësore për EJTN siç janë: Principet etike të EJTN, mbështetja dhe trajnimi i liderëve të ardhshëm si dhe një politikë e përbashkët rreth aktiviteteve nga EJTN për ruajtjen e ambientit.

Asambleja e Përgjithshme e EJTN-së ishte gjithashtu një rast që përfaqësuesit e organizatave apo institucioneve kryesore të paraqesin pikëpamjet e tyre mbi situatën aktuale të EJTN-së dhe të ardhmen e trajnimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit të gjykatave në mbarë BE-në.

Gjatë Asamblesë, Sekretarja e Përgjithshme e EJTN-së znj. Ingrid Derveaux dhe Kryetari i Komitetit Drejtues të EJTN, Remco Van Tooren, raportuan mbi aktivitetet e vitit 2023, zhvillimet më të fundit gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2024 dhe prioritetet afatshkurtra dhe afatmesme të organizatës.

Sekretari ligjor i Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut z. Stanislas Adam mbajti një fjalë përmbyllëse në emër të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të trajnimit gjyqësor në nivel evropian për të mbrojtur vlerat kyçe evropiane si sundimi i ligjit dhe e drejta për gjykim të drejtë përpara një gjykate të pavarur, siç garantohet me nenin 6 të KEDNJ.

Për fund të Asamblesë pjesëmarrësit patën rastin të dëgjojnë edhe prezantimin për Asamblenë e radhës e cila do zhvillohet nën presidencën e Polonisë.

  • gallery

Shpërndaje :