Fillimi Zyrtar i Trajnimit Fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar (gjenerata e katërmbëdhjetë)
Bazuar në legjislacionin në fuqi, pas dekretimit të 20 gjyqtarëve të rinj, Akademia e Drejtësisë, me datë 14 nëntor 2025, ka filluar zyrtarisht Trajnimin Fillestar për këta gjyqtarë që sipas radhës përbëjnë gjeneratën e XIV për Akademinë e Drejtësisë.
Në fjalën hyrëse z. Enver Fejzullahu, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, fillimisht i uroi gjyqtarët për emërimin e tyre dhe rrugëtimin në detyrën e re, për të vazhduar tutje me njoftimin e rolit dhe rëndësisë që ka trajnimi fillestar, për përgatitjen e tyre të mëtejme profesionale dhe avancimin e njohurive. Gjyqtarët e sapo emëruar u njoftuan rreth strukturës se trajnimit dhe metodologjisë së realizimit të trajnimit.
Po ashtu, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, z. Albert Zogaj, i udhëzoi gjyqtarët duke kërkuar përkushtimin maksimal gjatë trajnimit fillestar, njëkohësisht e falënderoji edhe Akademinë për bashkëpunimin dhe efikasitetin për përgatitjen në kohë të Programit për gjyqtarët e rinj.
Kryesuesi i KGJK-së gjithashtu garantoi përkrahjen e KGJK-së në këtë rrugëtim të rëndësishëm. Ky trajnim shënon fillimin e një përgjegjësie të madhe për gjyqtarët e rinj, të cilët tani kanë mundësinë të lënë gjurmë pozitive në sistemin e drejtësisë.
Akademia e Drejtësisë uron suksese të gjithë gjyqtarëve të sapoemëruar në këtë fazë të re dhe të rëndësishme të karrierës së tyre!

Postuar më: 14-11-2025