
Fillimi Zyrtar i Trajnimit Fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar (gjenerata e trembëdhjetë)
Bazuar në legjislacionin në fuqi, pas dekretimit të 21 gjyqtarëve të rinj (1 prej tyre nga komuniteti serb), Akademia e Drejtësisë, me datë 17 prill 2025, ka filluar zyrtarisht Trajnimin Fillestar për këta gjyqtarë që sipas radhës përbëjnë gjeneratën e XIII për Akademinë e Drejtësisë.
Në fjalën hyrëse z. Enver Fejzullahu, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, fillimisht i uroi gjyqtarët për emërimin e tyre dhe rrugëtimin në detyrën e re, për të vazhduar tutje me njoftimin e rolit dhe rëndësisë që ka trajnimi fillestar, për përgatitjen e tyre të mëtejme profesionale dhe avancimin e njohurive. Gjyqtarët e sapo emëruar u njoftuan rreth strukturës se trajnimit dhe metodologjisë së realizimit të trajnimit. z. Fejzullahu me theks të veçantë siguroj gjyqtarët për mbështetje të vazhdueshme gjatë rrugëtimit njëvjeçarë me qëllim që trajnimi fillestar të shërbej në ngritjen profesionale dhe zhvillimin e shkathtësive.
Po ashtu gjyqtarët e rinj u përgëzuan edhe nga Kryetari i Gjykatës Supreme, z. Fejzullahu Rexhepi, duke i paralajmëruar se përpara kanë një udhëtim plot sfida, por njëkohësisht edhe rëndësinë e paanshmërisë për të garantuar drejtësi në vend.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, z. Albert Zogaj, gjithashtu i udhëzoi gjyqtarët duke kërkuar përkushtimin maksimal gjatë trajnimit fillestar, njëkohësisht e falënderoji edhe Akademinë për bashkëpunimin dhe efikasitetin për përgatitjen në kohë të Programit për gjyqtarët e rinj. Kryesuesi i KGJK-së gjithashtu garantoi përkrahjen e KGJK-së në këtë rrugëtim të rëndësishëm.
Ky trajnim shënon fillimin e një përgjegjësie të madhe për gjyqtarët e rinj, të cilët tani kanë mundësinë të lënë gjurmë pozitive në sistemin e drejtësisë.
Akademia e Drejtësisë uron suksese të gjithë gjyqtarëve të sapoemëruar në këtë fazë të re dhe të rëndësishme të karrierës së tyre!
Postuar më: 17-04-2025