Konferenca ndërkombëtare "Programet efektive për kryesit e dhunës në përputhshmëri me standardet evropiane”
Me 2 dhe 3 qershor 2025, në mbështetje të projektit të KE-së përfaqësues nga institucionet e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe nga Akademia e Drejtësisë kanë marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare në Budapest me temë: Programet efektive për kryesit e dhunës në përputhshmëri me standardet evropiane. Qëllimi i kësaj konference ishte lidhja e politikave dhe praktikës si dhe bashkëpunimit për programe më me ndikim dhe më efektive për kryesit e dhunës në familje. Gjatë kësaj konference për dy ditë me radhë profesionistë nga radhët e hulumtuesve, psikologëve dhe ekspertëve të Rrjetit Evropian për Programe për Kryesit e Dhunës kanë folur për rolin e programeve për kryerësit e dhunës duke promovuar një qasjeje shumë institucionale të përqendruar te viktima. Për më tepër kanë folur për rezultatet e programeve dhe përfitimet shoqërore, për shërbimet mbështetëse për viktimat, për sigurinë dhe përgjegjshmërinë, për parimet dhe komponentët kryesore të programeve efektive për kryerësit e dhunës në familje në përputhje me nenin 16 të Konventës së Stambollit dhe standardet evropiane, si dhe kanë ofruar perspektiva dhe shembuj praktikë se si është konteksti ligjor dhe si funksionojnë këto programe në vendet si Spanja, Sllovenia, Britania e Madhe, Franca dhe gjithashtu edhe në Republikën e Kosovës. E përbashkëta e gjitha programeve ishte përfshirja sa më shumë e ushtruesve të dhunës në programe për ndryshimin e sjelljes dhe sigurinë e viktimave.
Në vijim të kësaj konference janë realizuar edhe 4 punëtori të veçanta të cilat kishin në fokus bashkëpunimin me organizatat e grave, sigurimin e shërbimeve për viktimat si masë kyqe e sigurisë dhe rrugët e referimit dhe komunikimit ndërinstitucional.
Në këto punëtori janë trajtuar edhe protokollet e shkëmbimit të informacionit dhe mbrojtja e konfidencialitetit, vlerësimet e përbashkëta të rrezikut, harmonizimi i politikave dhe strategjitë kombëtare, financimi dhe qëndrueshmëria, programet në burgje, shërbimi sprovues dhe komunitetet, rrugët vullnetare dhe të detyrueshme të referimit si dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërinstitucional. Gjithashtu vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe monitorimit, vlerësimit dhe matjes së efektivitetit të programeve dhe perspektivës gjinore në programet për kryerësit e dhunës.
Për dy ditë me radhë pjesëmarrësit u inkuadruan me detyra dhe punë në grupe për të ofruar perspektiva të reja në funksion të zbatimit më të mirë të programeve për ushtruesit e dhunës në familje.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga Armenia, Azerbejxhani, Rumania, Turqia, Moldavia, Gjeorgjia dhe nga Republika e Kosovës.
Në këtë konferencë delegacioni nga Kosova ishte në përbërje prej 12 përfaqësuesve që ishin zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë, Akademisë së Drejtësisë, Akademia për Siguri Publike, Shërbimi Korrektues, Shërbimi Sprovues, nga Rrjeti i grave si dhe nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.

Postuar më: 03-06-2026