Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror në procedurë gjyqësore
Më 23 Shtator 2026, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme është duke realizuar trajnimin me temë “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror në procedurë gjyqësore”. Trajnues të angazhuar janë: z. Valon Totaj, Kryetar në Gjykatën e Apelit dhe z. Bedri Bahtiri, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Qëllimi i këtij trajnimi është avancimi i njohurive të pjesëmarrësve rreth interpretimit të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me rolin e gjykatës dhe organit të kujdestarisë në funksion të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, në kontestet martesore familjare si dhe për standardet dhe legjislacionin ndërkombëtar, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Gjatë trajnimit u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit, duke zhvilluar diskutim interaktiv, prezantim të çështjeve përmes rasteve, diskutim për rastet dhe përmbledhje të konkluzave për çështjen e diskutuar, në mënyrë që të arrihen në tërësi objektivat e këtij trajnimi. Përfitues të këtij trajnimi janë: Gjyqtarët nga niveli themelor, Organi i Kujdestarisë (QPS), Mbrojtësit e Viktimave si dhe Zyrtarë për Ndihmë Juridike Falas.

Postuar më: 23-09-2026