Programi i Trajnimit në Institucionet jo gjyqësore - vizitë e Gjyqtarëve të sapo emëruar në Policinë e Republikës së Kosovës
Më 15 shtator 2026, Akademia e Drejtësisë në kuadër të programit të vizitave si pjesë e trajnimit fillestar për gjyqtarët e gjeneratës së XIV dhe XV është duke realizuar vizitën “Institucionin e Policisë së Kosovës”.
Në fjalën hyrëse z. Fatos Haziri fillimisht ju uroi mirëseardhjen gjyqtarëve të sapo emëruar, duke e cilësuar të duhur qëllimin e kësaj vizite dhe njëherit e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Akademinë e Drejtësisë, për të vazhduar më pas diskutimin lidhur me mandatin, rolin dhe kompetencat e këtij institucioni në sigurimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellët në fushën e drejtësisë.
Vizita në këtë institucion, kishte për qëllim që gjyqtarët e sapoemëruar të njoftohen me mandatin, rolin, strukturën organizative dhe punën praktike të Policisë së Kosovës.
Në këtë vizitë gjyqtarët avancuan njohuritë e tyre rreth bazës ligjore dhe departamenteve të Policisë së Kosovës për krimin e organizuar dhe llojet e hetimeve financiare, bashkëpunimin ndërkombëtarë në fushën e zbatimit të ligjit që ka Kosova me shtetet e tjera, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e policisë e që ndërlidhen me punën e gjyqtarit ku edhe patën rastin që të ngritin çështje me interes për punën e tyre praktike, ku një prej çështjeve ishte diskutimi lidhur me krimin kibernetikë e po ashtu edhe atë të hetimeve të përbashkëta kufitare.
Pjesëmarrësit po ashtu u njoftuan që në të ardhmen gjatë punës së tyre do të kenë një bashkëpunimin të ngushtë dhe të mirëfilltë me Policinë Republikës së Kosovës.
Përfitues të kësaj vizite janë 19 gjyqtarë të sapoemëruar të gjeneratës së XIV dhe 18 të gjeneratës së XV prej tyre 2 prej tyre nga komuniteti serb.

Postuar më: 15-09-2026