blog-post

Postuar më: 17-06-2026

Takimet për vlerësimin e nevojave trajnuese për vitin 2027 me Gjykatat dhe Prokuroritë Themelore në Prizren dhe Gjakovë

Më 17 qershor 2026, Stafi udhëheqës nga Departamenti i Programit të Trajnimeve bashkë me Drejtorin Ekzekutiv në vazhdën e takimeve për vlerësimin e nevojave trajnuese për gjyqtarë, prokurorë dhe stafin mbështetës realizuan takimet e radhës me Gjykatat dhe Prokuroritë Themelore në Prizren dhe Gjakovë.

Sipas planifikimit, pjesa e paradites iu kushtua Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Prizren. Në takimin me kryetaren e Gjykatës Themelore, znj. Shpresa Emra, u theksua nevoja për unifikimin e praktikës gjyqësore në çështje penale dhe civile, ndërsa prioritetet dhe nevojat tjera trajnuese do të koordinohen me udhëheqësit e departamenteve. Gjithashtu, u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit në funksion të realizimit sa më efikas të programeve trajnuese.

Në takimin me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Petrit Kryeziu, dhe Zëvendëskryeprokurorin, z. Labinot Jetishi, u identifikuan si prioritete ngritja e cilësisë së aktakuzave dhe provave, përfshirë provat elektronike. U theksuan si sfiduese hetimet financiare, sekuestrimi dhe konfiskimi, pastrimi i parave, krimet ekonomike, shmangia nga tatimi doganor, si dhe krimet kibernetike me theks te kripto-asetet.

Në pjesën e pasdites u zhvilluan takime në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Kryetarja e Gjykatës, znj. Fëllanza Knushaj, theksoi nevojën për trajnime në fushën penale dhe civile, veçanërisht për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, vrasjen, sekuestrimin dhe konfiskimin, dhunën në familje dhe procedurën jokontestimore, duke pasur parasysh se një numër i madh i gjyqtarëve kanë përfunduar së fundmi mandatin fillestar.

Në takimin me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, z. Enis Gashi, dhe Zëvendëskryeprokuroren, znj. Shqiponja Jupa, u theksua nevoja për trajtimin e çështjeve që lidhen me korrupsionin, krimet ekonomike, sekuestrimin dhe konfiskimin, si dhe me praktikat lidhur me ekzaminimin e telefonave. Po ashtu, u identifikuan si sfida uzurpimi i pronave, vjedhja e identitetit dhe kredencialeve, lojërat e fatit, si dhe rastet nga drejtësia për të mitur, veçanërisht veprat kundër integritetit seksual dhe dhuna në familje.

Në të gjitha takimet u konfirmua gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve në funksion të zhvillimit profesional të gjyqtarëve, prokurorëve dhe kuadrit tjetër ligjor.

  • gallery
  • gallery

Shpërndaje :