Takimet për vlerësimin e nevojave trajnuese për vitin 2027 me Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Pejë
Në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave trajnuese për hartimin e Programit të Trajnimeve për vitin 2027, Akademia e Drejtësisë ka vazhduar ciklin e takimeve konsultative me gjykatat dhe prokuroritë. Në këtë rast, më 8 korrik 2026, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, së bashku me stafin udhëheqës të Departamentit për Programin e Trajnimeve, zhvilluan takime me Kryetarin e Gjykatës Themelore dhe Kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte identifikimi i prioriteteve, sfidave dhe nevojave trajnuese që duhet të adresohen përmes aktiviteteve qe do të përfshihen në Programin e Trajnimeve për vitin 2027, duke siguruar që programi të reflektojë nevojat sa më reale të praktikës gjyqësore dhe asaj prokuroriale.
Gjatë takimit me Kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, z. Shemsedin Haxhiaj, u diskutuan çështje që lidhen me unifikimin e praktikës gjyqësore në fushën civile dhe penale, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, procedurat penale ndaj kryerësve me çrregullime mendore, gjykimin në mungesë, si dhe veprat penale të shpifjes dhe fyerjes.
Takimi vijoi me Kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, me të cilën u diskutuan prioritetet trajnuese në fushën e inteligjencës artificiale, hetimit dhe ndjekjes së krimeve kibernetike, shkathtësive të përfaqësimit në gjykim, si dhe avancimit të aftësive profesionale në komunikim.
Akademia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që, përmes një procesi gjithëpërfshirës konsultimi me institucionet e sistemit të drejtësisë, të hartojë një Programin për Trajnime që pasqyron nevojat konkrete të praktikës dhe kontribuon në ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke promovuar një sistem të drejtësisë më efikas, profesional dhe në përputhje me standardet bashkëkohore.

Postuar më: 08-07-2026