blog-post

Postuar më: 30-06-2026

Takimet për vlerësimin e nevojave trajnuese për vitin 2027 me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Gjykatën Komerciale

Në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave trajnuese për hartimin e Programit të Trajnimeve të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2027, më 29 korrik 2026, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, z. Enver Fejzullahu, së bashku me stafin udhëheqës të Departamentit të Programeve të Trajnimit, zhvilluan takime konsultative me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, si dhe me Kryetarin e Gjykatës Komerciale, z. Mahir Tutuli.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte identifikimi i prioriteteve dhe sfidave që duhet të adresohen përmes aktiviteteve trajnuese që do të realizohen gjatë vitit 2027.

Në takimin me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, u identifikuan prioritetet trajnuese që ndërlidhen me profilizimin e trajnimeve për prokurorët e Prokurorisë Speciale, me fokus të veçantë në temat që lidhen me krimin kibernetik dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale si dhe në avancimin e mëtejmë të aspektit praktik të trajnimeve, përmes studimeve të rasteve, punëtorive dhe tryezave profesionale.

Në takimin me Kryetarin e Gjykatës Komerciale, z. Mahir Tutuli, u identifikuan nevojat për përditësimin e Programit Trajnues për Gjykatën Komerciale për vitin 2027, me fokus në forcimin e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe organizimin e një punëtorie me qëllim të unifikimit të praktikës gjyqësore në fushën e drejtësisë komerciale.

Akademia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që përmes një procesi gjithëpërfshirës të konsultimit me institucionet e sistemit të drejtësisë, të hartojë një program trajnues që reflekton nevojat reale të praktikës dhe kontribuon në ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Shpërndaje :