Takimi me U.D së Kryetarit të Gjykatës Administrative për vlerësimin e nevojave trajnuese për vitin 2027
Me 09 korrik 2026 në kuadrin e vlerësimit të nevojave trajnuese të gjyqtarëve, prokurorëve dhe kuadrit tjetër ligjor brenda gjykatave dhe prokurorive, Akademia e Drejtësisë ka realizuar takimin me Ushtruesin e Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Administrative z. Rexhep Gashi. Pjesë e këtij takimi nga Akademia e Drejtësisë ishte Drejtori Ekzekutiv i saj z. Enver Fejzullahu dhe stafi nga Departamenti i Programit të Trajnimeve.
Qëllimi i këtij takimi ishte identifikimi i prioriteteve dhe sfidave të praktikës gjyqësore të kësaj gjykate dhe mundësitë e adresimit të tyre përmes trajnimeve dhe formave tjera nga Akademia e Drejtësisë.
Kryetari i kësaj gjykate vlerësoi angazhimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe në këtë vështrim edhe angazhimet e AD-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale. Lidhur me propozimet vëmendje të veçantë i kushtoi tryezave për unifikimin e praktikës gjyqësore në çështjet administrative, në veçanti për skemat sociale, kontestet e punës lidhur me përvojën dhe çështjet fiskale për shkak se gjyqtarët që punojnë në këto raste janë të rinj.
Me këtë takim është përmbyllur cikli i takimeve në gjykata dhe prokurori për të vazhduar më tutje me punëtorinë e përbashkët me të gjithë për të orientuar përmbajtjen e programit trajnues për vitin 2027.

Postuar më: 09-07-2026