Trajnim – E Drejta Evropiane e Konkurrencës
Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Projektin ERA të Bashkimit Evropian po organizon trajnim për të Drejtën e Konkurrencës për Gjyqtarët e Gjykatës Komerciale.
Ky trajnim po organizohet me qëllim të forcimit të kapaciteteve të gjyqtarëve vendorë në zbatimin efektiv të së drejtës së konkurrencës, në përputhje me standardet dhe praktikat më të fundit të Bashkimit Evropian.
Objektivat e trajnimit: Avancimi i njohurive të gjyqtarëve të Gjykatës Komerciale për zhvillimet e fundit në të drejtën e konkurrencës së BE-së, me fokus në: • Përcaktimin e tregut relevant dhe sfidat që paraqiten në kontekstin e tregjeve digjitale; • Rolin e gjyqtarëve në interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të nenit 101 dhe 102 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE); • Vlerësimin e provave ekonomike në rastet e konkurrencës; • Abuzimin e pozitës dominuese në tregjet tradicionale dhe digjitale; • Zbatimin privat të së drejtës së konkurrencës, përfshirë provimin dhe kalkulimin e dëmit. Përmes kombinimit të ligjëratave teorike dhe analizës së rasteve konkrete, trajnimi synon rritjen e kompetencave praktike të gjyqtarëve në identifikimin, vlerësimin dhe vendimmarrjen në çështjet që lidhen me shkeljet antitrust.
Përmbajtja dhe metodologjia
Trajnimi zhvillohet në disa sesione tematike që mbuluan fushat kyçe të së drejtës së konkurrencës duke ofruar një qasje të integruar ndërmjet teorisë, praktikës gjyqësore dhe analizës ekonomike.
Ky trajnim kontribuon ndjeshëm në forcimin e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve vendorë dhe në harmonizimin e praktikave gjyqësore me standardet e BE-së.

Postuar më: 27-10-2025