
Trajnim Gjyqësor Rajonal për Provat Elektronike
Nga data 1 deri më 4 prill 2025, në Sarajevë të Bosnjë dhe Hercegovinës, gjyqtarët nga Kosova z. Burim Ademi, Gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës, z. Vaton Durguti, Gjyqtar në Gjykatën e Apelit dhe z. Nikollë Komani, Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjakovë, ishin pjesë e "𝐓𝐫𝐚𝐣𝐧𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐆𝐣𝐲𝐪ë𝐬𝐨𝐫 𝐑𝐚𝐣𝐨𝐧𝐚𝐥 𝐩ë𝐫 𝐏𝐫𝐨𝐯𝐚𝐭 𝐄𝐥𝐞𝐤𝐭𝐫𝐨𝐧𝐢𝐤𝐞" të realizuar në kuadër të Projektit të përbashkët të CyberSEE me Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës..
Kjo nismë ka dalë si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj nevojave të identifikuara gjatë Punëtorisë Rajonale mbi Trajnimin Gjyqësor të mbajtur në tetor të vitit 2024.
Ky trajnim është është realizuar me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të aftësive gjyqësore në trajtimin e provave elektronike, duke adresuar kompleksitetin në rritje të rasteve të krimit kibernetik dhe për të forcuar kapacitetin e sistemeve gjyqësore në menaxhimin efektiv të rasteve të krimit kibernetik.
Qëllimi kryesor i Trajnimit Gjyqësor Rajonal ishte pajisja e pjesëmarrësve me aftësitë thelbësore të nevojshme për trajtimin dhe përpunimin e provave elektronike në procedurat gjyqësore. Bazuar në evoulimin e shpejtë të fenomenit të krimit kibernetik dhe sfidat që ky fenomen po paraqet çdo ditë e më shumë, zhvillimi i aftësive për të menaxhuar provat elektronike është bërë një çështje parësore. Andaj, si rrjedhojë në këtë trajnim, pjesëmarrësit u trajnuan për të kuptuar dhe trajtuar provat elektronike brenda kornizës ligjore në mënyrë që të jenë më të përgatitur për të trajtuar gjithashtu edhe kompleksitetin ligjor të krimit kibernetik.
Një fokus shtesë i trajnimit ishte edhe ndërtimi i kapaciteteve të pjesëmarrësve për të ndarë ekspertizën e tyre dhe për të vepruar si trajnerë në aktivitetet e ardhshme të trajnimit gjyqësor vendor. Një gjë e tillë përputhet edhe me objektivin më të gjerë të kultivimit të ekspertizës së qëndrueshme brenda rajonit, duke rritur përgjigjet gjyqësore afatgjata ndaj krimit kibernetik.
Duke investuar në trajnimin gjyqësor dhe krijimin e një rrjeti trajnerësh të aftë, ngjarja synon të sigurojë që ekspertiza e fituar të mos mbetet e izoluar, por të shpërndahet brenda çdo vendi, duke forcuar kapacitetet kombëtare në terma afatgjatë.
Si përfundim, Trajnimi Gjyqësor Rajonal mbi Provat Elektronike, paraqet një mundësi të rëndësishme për profesionistët e drejtësisë dhe të zbatuesve të ligjit për të rritur ekspertizën e tyre në trajtimin e provave elektronike. Ky është një aspekt thelbësor i punës moderne gjyqësore, veçanërisht duke pasur parasysh përhapjen në rritje të krimit kibernetik. Trajnimi jo vetëm që do të përmirësojë kapacitetin e profesionistëve ligjorë, por gjithashtu do të ndihmojë në ndërtimin e një rrjeti trajnerësh të aftë që mund të shpërndajnë njohuritë e fituara në forcimin e reagimit të sistemit gjyqësor ndaj krimit kibernetik në të gjithë rajonin.
Postuar më: 07-04-2025