Trajnim i Trajnuesve – Trajtimi i rasteve të Femicidit
Sot më 14 mars 2024, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me AIRE CENTRE (Advice on Individual Rights in Europe), ka realizuar trajnimin e trajnuesve me temë: “Trajtimi i rasteve të Femicidit në Kosovë”. Ky trajnim vije si rezultat i forumit të 10-të regjional rreth Sundimit të Ligjit në Evropën Juglindore të organizuar nga AIRE CENTRE gjatë vitit 2023, e pjesë e të cilit ishin edhe anëtarët e rrjetit të Gjyqtarëve në fushën e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë Gjinore, të propozuar nga KGJK si dhe gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese. Qëllimi i trajnimit ishte që pjesëmarrësit të diskutonin më gjerësisht rreth Udhëzuesit për trajtimin e rasteve të femicidit të botuar së fundi nga AIRE CENTRE, udhëzues i cili përmban në detaje çështjet e femicidit duke filluar nga nocioni, dispozitat ligjore, peshimi i dënimit të femicidit, viktimat dhe palët e dëmtuara, kërkesat për dëmshpërblim etj. Pjesëmarrësit patën rastin të diskutojnë në mënyrë interaktive me dy trajnueset e angazhuara nga qendra AIR, znj. Nevena Petrusic dhe znj. Kosna Beker, rreth cilësimit të veprës penale, masave lehtësuese dhe rënduese, stereotipeve dhe paragjykimet në çështjet e femicidit, duke shtjelluar edhe raste praktike nga vendimet e Gjykatave rajonale. Akademia e Drejtësisë synon që përmes këtyre trajnimeve të cilat natyrisht se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, të ngrisë vetëdijen dhe kapacitetet profesionale tek trajnuesit, gjyqtarët dhe prokurorët specifikisht në trajtimin e rasteve të femicidit, si një dukuri globale, veçanërisht kur dihet se femicidi si dukuri në asnjërën nga shtetet e Ballkanit Perëndimor (përjashtimisht shteti i Maqedonisë së Veriut) nuk parashikohet si vepër penale e mëvetshme. Përfitues të trajnimit ishin anëtarët e rrjetit të Gjyqtarëve në fushën e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë Gjinore, përkatësisht 2 Gjyqtare nga Gjykata Kushtetuese, 1 Gjyqtare nga Gjykata e Apelit si dhe 1 Gjyqtarë nga Gjykata Themelore.
Postuar më: 14-03-2024