Vesti i događaji - Arhiva

30-11-2012

Vizita e delegacionit të gjyqtarëve dhe përfaqësuesve nga Akademia e Drejtësisë së Republikës së Turqisë në Institutin Gjyqësor të Kosovës

Nga 26 deri 30 nëntor 2012, si vazhdimësi e bashkëpunimit të rregullt ndër-institucional është realizuar një vizitë studimore nga gjyqtarë dhe përfaqësues të Akademisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë, në Institutin Gjyqësor të Kosovës dhe institucione të drejtësisë në vendin tonë.

Pjesëmarrës të këtij delegacioni ishin stafi drejtues dhe ekspert të qendrës së trajnimeve si dhe gjyqtarë/trajnues në Akademinë e Drejtësisë së Turqisë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me sistemin dhe praktikën gjyqësore të Kosovës, shkëmbimin e përvojave lidhur me arsimimin ligjor për gjyqtarë e prokurorë, kandidatë për gjyqtarë dhe prokurorë si dhe identifikimi i mundësive për organizimin e programeve të përbashkëta trajnuese në të ardhmen.

Delegacioni u prit nga Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës z. Lavdim Krasniqi i cili i njoftoi delegacionin me themelimin, funksionet dhe strukturën organizative të IGJK-së. Gjithashtu u bë edhe një prezantim i ndërsjellë nga ana e Akademisë së Turqisë lidhur me temën” Sistemi i drejtësisë për të mitur në Turqi dhe Kosovë”. Gjithashtu u mbajt një takim me kandidatët e tri gjeneratave të programit fillestar për arsimim ligjor të cilët më parë kishin mbajtur trajnime në Akademinë e Drejtësisë në Turqi. 

Në kuadër të vizitës delegacioni realizoi takime në institucionet të drejtësisë në vend si: Gjykatën Supreme të Kosovës, Zyrën e Prokurorisë së Shtetit, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën e Qarkut në Prizren, Gjykatën Komunale në Ferizaj. Gjatë takimeve u diskutua organizimi i gjykatave, zyrave të prokurorisë dhe reformat e ndryshme në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës që do të ndodhin në 2013. Gjithashtu u realizuan edhe vizita në institucionet e trashëgimisë kulturore e historike të Kosovës.

Përfaqësues nga Akademia e Drejtësisë së Turqisë, premtuan se do të mbështesin realizimin e trajnimeve veçmas për gjyqtarë dhe prokurorë për vitin 2013 me tema si luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, menaxhimi i gjykatave/prokurorive si dhe në fushën e drejtësisë për të mitur. 

Delegacioni në fund u zotua se do të vazhdoj përkrahjen dhe thellimin e bashkëpunimit në mes Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë.

Objavi :