Më 24 shkurt 2017, ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 05/L-95 për Akademinë e Drejtësisë. Me këtë ligj Instituti Gjyqësor i Kosovës është transformuar në Akademi të Drejtësisë.
Akademia e Drejtësisë i kryen funksionet e saj në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet dhe aktet nënligjore përkatëse.
Akademia e Drejtësisë si trashëgimtare e Institutit Gjyqësor të Kosovës është institucion publik i pavarur, dhe funksion kryesor ka trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve të shtetit të Republikës së Kosovës, trajnimin e personelit administrativ gjyqësor dhe prokurorial, mund të organizoj trajnime për profesionet e lira, si dhe çështje të tjera në pajtim me ligjin.
Akademia kryen funksionet e parapara si në vijim:
- Harton programet e trajnimit dhe organizon trajnimet për gjyqtarë dhe prokurorë të shtetit në pajtim me legjislacionin në fuqi;
- Zhvillon procesin e vlerësimit të nevojave për trajnime përmes mekanizmave të përcaktuar nga Akademia, dhe në bazë të kërkesave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK);
- Organizon trajnime për stafin administrativ gjyqësor dhe prokurorial, pas koordinimit paraprak të nevojave për trajnime me KGJK-në dhe KPK-në, në pajtim me legjislacionin në fuqi;
- Mund të organizojë trajnime të vazhdueshme profesionale për avokat shtetëror, avokat, noter, përmbarues privat, ndërmjetësues, administratorë falimentues, si dhe profesione tjera në bazë të vlerësimeve të Akademisë, sipas kërkesave të institucioneve kompetente;
- Zhvillon dhe realizon programet e trajnimeve në bashkëpunim me KGJK-në dhe KPK-në, Odat e profesioneve të lira apo institucionet përkatëse;
- Mban të dhëna për trajnime dhe programe që realizohen në Akademi në pajtim me legjislacionin në fuqi;
- Vendos dhe mban bashkëpunim me institucionet vendore dhe institucionet e huaja të ngjashme lidhur me punët të cilat i kryen, duke përfshirë praktikat profesionale dhe programet e shkëmbimit;
- Kryen analiza, hulumtime dhe bashkëpunon me institucionet shkencore;
- Kryen veprimtari botuese në përmbushje të mandatit për nevojat e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe profesioneve të lira;
- Kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj dhe me akte tjera të Akademisë.