Vesti i događaji - Arhiva

02-05-2011

Vizita studimore në Shkollën Nacionale të Magjistraturës në Bordo të Francës

 

Nga 02 deri më 5 maj 2011, Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK), në përkrahje nga Programi i Binjakëzimi i cili mbështetë reformimin e sistemit për arsimim ligjor, realizuan një vizitë studimore në Shkollën Kombëtare të Magjistraturës (shkolla) dhe në Gjykatën e Qarkut dhe të Apelit në Bordo të Francës. Përfitues të këtij programi ishin anëtarët e Këshilli Drejtues, anëtarët e Këshillit Programor dhe stafi i IGJK-së, Kryeprokurori i Shtetit dhe këshilltarja speciale e OSBE-së në IGJK.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që pjesëmarrësit të njoftohen më për së afërmi me punën e shkollës në tërësi dhe në veçanti infrastrukturën ligjore me të cilën rregullohet organizimi dhe funksionimi i shkollës, programet që i realizon, përgatitjen e planprogrameve, procedurën për rekrutimin e kandidatëve për të qenë pjesë e programit të trajnimit fillestar, mënyrën e vlerësimit dhe të monitorimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorët të rinj.

Përfaqësuesit e shkollës prezantuan aktivitetet pedagogjike, programet praktike në gjykata dhe prokurori dhe në institucione tjera të lidhura ngushtë me sistemin gjyqësor, si dhe programet që shkolla i realizon jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar të shkollës me vendet e tjera në mbarë botën, e veçanërisht me vendet fqinjë.

Vizita në Departamentin për Hulumtime dhe Dokumentacion në kuadër të kësaj shkolle kishte një interes të veçantë dhe do të ndikoj dukshëm në zhvillimin e mëtutjeshëm të Departamentit për Hulumtime dhe Publikime në IGJK.

Në përfundim të kësaj vizite anëtarët e Këshillit Drejtues dhe të Këshillit Programor zhvilluan një mbledhje të rregullt në të cilën diskutuan lidhur me përshtypjet e tyre gjatë kësaj vizite dhe propozuan hapa konkret që duhet të ndërmarrë IGJK për avancimin e punës, duke përfshi këtu edhe nevojën që IGJK të transformohet në Akademi Gjyqësore ose Shkollë të Magjistraturës. Lidhur me këtë pjesëmarrësit miratuan “Platformën Strategjike për Zhvillim dhe Transformim të IGJK-së” me të cilën hapën rrugën që të fillohet menjëherë me punën për ndryshimin e domosdoshëm të infrastrukturës ligjore për realizimin e këtij objektivi, që është një parakusht për realizimin e reformave të IGJK-së dhe sistemit gjyqësor e prokurorial në Kosovë.

Me këtë rast, drejtori i IGJK-së ftoi përfaqësuesit e Shkollës Kombëtare të Magjistraturës që të vizitojnë IGJK-në dhe së bashku u pajtuan që në të ardhmen të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi.

 

Objavi :