Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK) - miraton Programin e Punës për vitin 2012
Më 15 dhjetor 2011, Këshilli Drejtues i IGJK-së mbajti mbledhjen e rregullt të punës, me ç’rast aprovoi Programin e Punës për vitin 2012.
Në këtë mbledhje drejtori i IGJK-së prezantoi një raport lidhur me sfidat, të arriturat dhe rrjedhën aktiviteteve të zhvilluara në të gjitha programet e IGJK gjatë vitit 2011, si dhe paraqiti për diskutim para aprovimit draftin e Programit të Punës.
Të pranishmit u njoftuan lidhur me rrjedhën e punës për hartimin e draft Programit, duke pas parasysh kriteret për përzgjedhjen e temave/moduleve, tryezat e punës me ekspertë për hartimin e këtij Programi, rekomandimet nga takimet me përfaqësues të institucioneve relevante vendore dhe ndërkombëtare.
Gjatë diskutimeve anëtarët e Këshillit Drejtues, dhanë rekomandime për ndryshime dhe plotësime të Programit, duke theksuar se Programi është mjaft gjithëpërfshirës dhe reflekton nevojat e gjyqësorit për arsimim ligjor, me theks të veçantë nevojat pas miratimit të Ligjit mbi Gjykatat dhe Ligjit mbi Prokurorinë e Shtetit, si dhe përmban rekomandimet e mekanizmave për monitorim të sistemit gjyqësor dhe prokuroria në Kosovë.
Anëtarët e Këshilli Drejtues përgëzuan IGJK-në për punën dhe të arriturat gjatë vitit 2011, si dhe aprovuan Programin e Punës për vitin 2012.
15-12-2011