Vesti i događaji - Arhiva

16-05-2013

Vizitë studimore në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg – Francë ( 12 - 16 maj 2013 )

Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim dhe me përkrahjen financiare të DEUTSCH STIFTUNG FUR INTERNATIONALE RECHTLICHE ZUSAMMENARBEIT (IRZ), prej datës 12 deri 16 maj 2013 organizoi një vizitë studimore në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg. Delegacioni i vizitës përbëhej prej pesë trajnues të IGJK-së në mesin e tyre gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të IGJK-së (Drejtori i IGJK-së, Zëvendës-Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale, një Gjyqtar i Gjykatës Themelore, një Prokuror i Prokuroris Themelore dhe një Trajnues i përhershëm i IGJK-së ). 
Vizita kishte për qëllim avancimin e përmbajtjes së kurrikulave dhe metodologjisë së trajnimeve për Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ) dhe legjislacionin tjetër për të drejtat e njeriut të cilat janë pjesë e programeve të IGJK-së. 
Delegacioni së pari zhvilloi vizitë në Këshillin e Evropës ku u takua me zyrtar të lartë me të cilët u diskutua lidhur me hapat që duhet të ndërmerren nga organet gjyqësore të Kosovës në përgatitje të kapaciteteve për të përmbushur kriteret dhe standardet që kërkohen nga KE, para anëtarësimit. 
Me dobi të veçantë ishin takimet e realizuara me gjyqtarë dhe profesionist nga Shqipëria të punësuar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Gjatë prezantimit të tyre u theksuan veçoritë kryesore të punës së GJEDNJ-së përmes të gjitha rasteve që i referohen Shqipërisë duke i zbërthyer ato sipas neneve dhe protokolleve të KEDNJ-së. Gjithashtu u prezantua puna e GJEDNJ-së në vitet e fundit, përfshirë sfidat që e shoqëruan atë si dhe u prezantua në detale obligimet e shteteve anëtare të KE-së në procesin e përmbarimit të aktgjykimeve të GJEDNJ-së përmes disa rasteve tipike që kishin të bëjnë me Shqipërinë. 
Përveç takimeve, trajnuesit e IGJK-së përcollën edhe një rast gjykimi të zhvilluar në Dhomën e Madhe të GJEDNJ-së. Ky rast u përcoll me interesim mjaft të madh sepse vendim që do të nxirret do të ketë efekte edhe për shtetet tjera anëtare-palë të KEDNJ-së. 
Mjaft me vlerë ishte edhe prezantimi i gjyqtares së GJEDNJ-së nga Gjermania e cila shpjegoi rastet më të komplikuara që ka vendosur GJEDNJ lidhur me shtetet e ndryshme siq janë rastet nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Ukraina, Kosova, etj. 
Pjesëmarrësit e kësaj vizite patën rastin të vizitojnë dhe bibliotekën e GJEDNJ-së, me ç’rast drejtoresha e sajë shpjegoi në detale punën dhe të arriturat e kësaj bibloteke, mënyrat e klasifikimit të librave, publikimet dhe revistat tjera që gjenden në bibliotekë.  

Objavi :